Nëse goglat buzëqeshën për thuajse të gjitha ekipet shqiptare sa i përket nisjes së rrugëtimit në Europë, kjo nuk ndodhi me Partizanin. Të kuqtë “peshkuan” ekipin më të vështirë nga pesë mundësitë, Saburtalo. Kjo e fundit është pjesë e elitës së Gjeorgjisë dhe në total kushton afërsisht 5 milionë euro.
Pra niveli është i barabartë me Partizanin, ndërsa katër rivalët e tjerë ishin shumë më lehtë të kalueshëm. Sport Ekspres ka kontaktuar me trajnerin e të kuqëve, Dritan Mehmeti, që e komentoi shortin në këtë mënyrë: “Ishte skuadra më e fortë nga pesë mundësitë në short. Sa i përket faktorit sesa e njohim ne, problemi i madh është se ky ekip është në kampionat ende.
Ka ritëm loje dhe rrit shkallën e vështërisë. Njëkohësisht është distancë e gjatë në Gjeorgji. Saburtalo është shkollë ruse e futbollit, ka lojtar të ri dhe mjaft premtues. Ka edhe buxhet të madh mesa informacione kam marrë. Shpresoj që fati të jetë me ne dhe ta kalojmë këtë tur”, tha Mehmeti. /Sport Ekspres/