Ekskluzive/ “Gazetari serb më telefonoi”, Laçi i rrëfen të gjitha për Muçin: Basti im! Mbajeni mend te Legia…

Nga Klaudio Ndreca

Në rrugëtimin e gjatë kohor dhe mes personave të panumërt që hyjnë në jetën tënde, ata që kurrë nuk harrohen, janë njerëzit që të japin dorën e parë për të ndihmuar. E kurrsesi Ernest Muçi nuk mund ta fshijë lehtë nga kujtesa Arbi Laçin. Ish-drejtori sportiv i Tiranës ishte një ndër personat e parë që i besoi verbërisht dhe nuk u mendua dy herë për t’i lënë fletën e bardhë përpara tavolinës: “Nënshkruaje Ernest”.

Qershor 2018! Në moshën 17-vjeçare kur të gjithë bashkëmoshatarët e tij mund të uleshin përpara një tryeze për të firmosur vetëm në rastet kur mund të jepnin provimet shkollore të fundit të sezonit, Muçi firmos për të qenë tre vite me ekipin e madh të Tiranës. Fjala arritje është pak për ta përshkruar duke ditur fare mirë se të rinjtë në Shqipëri shiheshin me një tjetër sy në 2018(shihen ende), pasi futbolli këtu konceptohet ende fatkeqësisht në mënyrën e gabuar. Për të luajtur me ekipe të mëdha duhet të kesh kartën e identitetit që të tregoj moshën e madhe, kusht i domosdoshëm.

“Tirana nënshkruan me Muçin që të mos ia “grabisin” rivalët”, ishin titujt e mediave asokohe për të treguar kontratën e firmosur. Por njoftimi i bardhebluve në ato kohë rezultoi i saktë në çdo detaj: “Muçi është një nga investimet e së ardhmes dhe marrëveshja e firmosur e bën atë zyrtarisht pjesë të projektit për Tiranën Superiore. Nga Tirana U-17 te ekipi i parë, si një produkt bardheblu, me një premtim për të ardhmen”.

Premtimi është përmbushur dhe Arbi Laçi është një ndër personat e parë që buzëqesh mes krenarisë së madhe kur sheh zyrtarizimin e lojtarit te Legia e Varshavës. Intuita nuk e zhgënjeu: “Po, ia dolëm”. Megjithëse tanimë është larg Tiranës dhe nuk e ka funksionin drejtues në këtë klub, 500 mijë eurot e derdhura në llogarinë e klubit bardheblu janë një kujtim i punës të së shkuarës. Për këtë arsye “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të bëjë një intervistë me ish-drejtorin e bardhebluve. Fundja, kush më mirë e njeh dhe kush më mirë mund ta përshkruajë Muçin?

Një prej personave që ka besuar më shumë te Muçi. Në momentin e nënshkrimit të kontratës, e prisje që ky djalosh do të shkonte larg?

Muçi është një prej atyre futbollistëve që i mjafton një prekje për të treguar se çfarë ndjesie ka me topin dhe sa i talentuar është për të. Në skuadrën e parë është afruar 16-vjeç dhe në çdo herë të parë të tijën ka shënuar në pak minuta. Kujtoj këtu të gjithë herët e para dhe ishte gjithmonë vendimtar. Është fantastik. Kam besuar gjithmonë verbërisht që do të bëhet lojtar i madh. Kontrata është basti i fituar për mua si drejtor sportiv dhe dhuratë për Tiranën.

A mund të quhet edhe një “zbulim i tifozëve”? Gjithmonë flasim për trajnerët, por kur Mema i la pak hapësira ishin gjithë tifozët që e kërkonin në formacion. Egbo do ti jepte më shumë besim…

Rritja e lojtarëve të talentuar është gjithmonë proces i vështirë. Nuk mjafton vetëm dëshira për të luajtur. Lojtarët duhet menaxhuar, fituar dhe rritur gradualisht për të mos e dëmtuar. Mema e aktivizoi më pak se Muci ishte më i vogël. Egbo e aktivizoi më shuë në sezonin e shkuar për ta kthyer në titullar gjatë verës në Europë. Kam qenë gjithmonë në mbështetje të Mucit për të marrë sa më shumë minuta dhe ka qenë politikë e klubit jo vetëm për këtë rast, por edhe për Celhakën, Ismailgecin apo edhe Stafën që në fakt, nuk e kuptoj se përse e kanë harruar…

Një nga karakteristikat tona dhe të metat si shqiptarë është mendjemadhësia në momentin që mendojmë se është arritur maja. E njeh Muçin, si është i formuar ky lojtar në këtë aspekt?

Është karakter i fortë dhe gjithmonë më është dukur si i rritur para kohë. Është i ftohtë dhe kjo e ndihmon të përdor si duhet talentin që ka. I pëlqen vetja dhe mirë bën. Nuk besoj që ka talent në botën e futbolli që e di sa talent ka dhe nuk i pëlqen vetja.

A është Legia vendi i duhur për të vazhduar karrierën? Nuk duhet të harrojmë se polakët nuk janë shumë dashamirës me shqiptarët dhe Muçi duhet të fshijë kujtimet e këqija të “ferrarit” Sadiku që u la në “garazh”. Histori e vjetër, por në Poloni ende sikur të jetë thënë dje…

Nuk do të jetë e thjeshtë për të, sigurisht. Legia është klubi më i madh në Poloni dhe besoj se do t’i duhet të vuaj sportivisht për të arritur më lart. Me sakrifica dhe kokën ulur, Mucit i duhet ta përdori Legian si stacionin e radhës për një karrierë të madhe që e pret para. Por mbajeni mend që sa herë do të futet në fushë nga stoli në ndeshjet e para, do të lërë shenjë me gola dhe asist sepse është i lindur për to.

Lekët e investuara nuk do të jenë të hedhura dëm apo jo? A mund të fitonte Tirana më tepër nga ky sulmues?

Tirana besoj se ka bërë një lëvizje shumë të mirë financiare duke mos u mjaftuar me shifrën për të përfituar tani, por edhe me ruajtjen e një përqindje të kartonit. I komplimentoj për këtë. A mund të kishin marrë më tepër? Patjetër që po, nëse do ta kishin ndihmuar Mucin të shënonte më tepër gola këtë vit. Rabotnicki transferoi në Rusi për 1 milionë euro David Toshevskin, ndërsa Shkupi transferoi Dembo Darbon për 1 milionë dollarë. Ndoshta është faji i tregut në Shqipëri që duhet të përmirësoj disa gjëra për të rritur vlerën e lojtarëve që transferohen jashtë.

Çfarë pengu të ka mbetur nga koha jote te Tirana dhe nga bashkëpunimi me Muçin?

Goli me Zvezdën do të na kishte dërguar larg e ndoshta nuk do të ishte lejuar që të prishej ai projekt fitues. Mucin e ndali shtylla dhe pas asaj kam folur gjatë me të. Tjetër peng? Do kisha dashur të kisha qenë me të edhe këtë sezon, por me Tiranën fituese të sezonit të kaluar. Në fund pa frikë do të kushtonte të paktën 1 milionë euro.

Kur Tirana do të përballej me Zvezdën je shprehur: “Nuk keni parë gjë akoma nga Ernesti, prisni”. Pas këtij transferimi a vlen po e njëjta shprehje, pra a do të shkohet më larg se Legia?

Para Zvezdës kam dhënë një intervistë për një media të rëndësishme në Serbi dhe u thashë se duhet të kenë kujdes prej Mucit. Pas ndeshjes, gazetari serb më telefonoi për të komplimentuar. Për Ernestin është vetëm fillimi, i uroj fat dhe e falënderoj që përveç të gjithëve, më bëri mua dhe Tiranën krenar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online