Nga Klaudio Ndreca
Çfarë i bashkon sportet e basketbollit dhe futbollit? Padyshim qëllimi i tyre primar dhe arsyeja se përse lindën, për të argëtuar njerëzit. Megjithëse në vitet e fundit janë kthyer edhe në industri të fuqishme për shtetet e botës, duke parë të ardhurat që qarkullojnë. Te Vllaznia shohin edhe një emërues të përbashkët mes këtyre dy sporteve, për të arritur të njëjtin sukses. Pra teksa shohin ekipin e basketbollit që ka arritje të mëdha, shkodranët mendojnë që edhe skuadra e tyre e futbollit të ndjekë të njëjtën rrugë, pasi në vitet e fundit ka pasur periudha të errëta.
Atëherë, si mund t’i bashkojmë? Me të njëjtin president! Këtu del në skenë edhe Alban Xhaferi. Aktualisht është njeriu që drejton punët te Vllaznia në basketboll, por në sezonin e ardhshëm, mund ta shohim edhe në sportin më të ndjekur në Shqipëri. Teksa zgjedhim që ta intervistojmë në lidhje me këtë situatë të fundit dhe këto zhvillime, menjëherë dallojmë buzëqeshjen e Albanit, që e di më së miri fuqinë që ka futbolli dhe interesin e lartë mediatik, por edhe nga ana e tifozëve.
Pra duke e kuptuar ende pa u folur, që nuk do të ishte konkretisht basketbolli këtë herë tema për të cilën do të flisnim. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Xhaferi prek pak edhe planin e tij për të ardhmen e Vllaznisë. E ku tjetër mund të bazohej? Vetëm te akademia, që Shkodra e ka një nga më të mirat në Shqipëri. Gjithsesi për të folur gjatë rreth kësaj teme duhet ende kohë, pasi pikësëpari duhet të arrihet një marrëveshje për t’u bërë presidenti i klubit të futbollit të Vllaznisë.
Atëherë si lindi ideja për të qenë një nga kandidatët që të marrësh klubin e Vllaznisë?
Kjo është një indicie që më ka ardhur nga vetë tifozët. Ju e dini që ne kemi bërë një punë të mirë për basketbollin te Vllaznia. Tifozët më kanë thënë një shtysë, duke më këshilluar që të marrë pjesë edhe te ekipi i futbollit. Unë e quaj veten si pjesë e tyre, pasi jam tifoz i zjarrtë i kësaj skuadre. Pra indicia e tifozëve, por e bashkuar edhe me dëshirën time padyshim.
Pra e keni ndjekur në çdo ndeshje Vllazninë nga stadiumi, nuk keni munguar kurrë?
Jo, ndoshta në çdo ndeshje nuk e kam parë, por realisht kam qenë shumë afër futbollit të Vllaznisë dhe e njoh atë.
Një pyetje që lind…Ne dëgjojmë presidentë të Superiores që thonë se këtu del vetëm me humbje kolosale, nuk ka kurrë fitime. Atëherë lind pyetja, çfarë të shtyn që të futesh në këtë “valle”, nëse gjendja është kështu si na e paraqesin?
Shikoni, unë kam dëshirë për të qenë pjesë e Vllaznisë dhe futbolli dihet që ka shumë impakt këtu. Me një periudhë kohe dhe projekt 3-5 vjeçar, duke i ndërtuar strukturat mirë, atëherë klubi do të jetë një shoqëri që do ta mbaj veten. Pra do të jetë e shëndetshme ekonomikisht. Pastaj ka vlerë të madhe edhe ligji i sponsorizimeve që presim, se në Kosovë dhe vendet e tjera është. Biznesi ecën me shpresën që Qeveria do të ndihmojë në këtë proces dhe mendoj se edhe për këtë ligj në sport do ta miratojë. Kjo jep më shumë frymëmarrje në aspektin ekonomik dhe unë që vijë nga bota e biznesit, mendoj që sporti dhe biznesni mund të rriten sebashku paralelisht.
Po me Bashkinë ke pasur kontakte në këto kohë?
Me Bashkinë kam pasur gjithmonë kontakte, pasi jam edhe presidenti i ekipit të Basketbollit. Është ende herët për të folur më shumë rreth kësaj çështje, duhet që të presim.
Po çfarë mund të veçojmë dhe si ka qenë reagimi nga ana e tyre?
Atëherë më duhet të them që kryetarja e Bashkisë në Shkodër ka bërë nje punë shumë pozitive. Ajo është munduar që të jap kontribut te klubi i futbollit, por sigurisht që forma e menaxhimit dhe struktura ka hasur gjithmonë në vështirësi dhe dihet që rezultatet janë këto, nuk e priste askush Vllazninë në këtë nivel.
Po plani që ke në kokë për të dërguar Vllazninë, sa larg mund të mbërrihet?
Mund të shihni edhe ekipin e basketbollit. Pas 2 vitesh ne kemi shkuar në finalen e Kupës dhe “Play-Off-in” e Ballkan Ligës. Është një angazhim shumë i madh, por unë do ta pranoj me shumë kënaqësi në formen e nje administrimi të ri. Plani ynë është që të kapim nivelet më të larta aty ku na takon. Vllaznia ka histori dhe potencial për të konkurruar denjësisht në kampionatin shqiptar, por edhe për Europën.
Po me akademinë çfarë do të bëhej? Pasi deri tani dimë që Vllaznia po punon mirë për t’i furnizuar skuadrat e tjera me talente?
Ky pra është edhe motivi kryesor që mua më jep vullnet. Vllaznia prodhon sportistë dhe do të kemi shumë vëmendje karshi akademisë. Të rinjtë tanë ecin shumë mirë dhe e kemi parë që kemi shumë prodhim prej saj. Prandaj që do të tregojmë shumë kujdes dhe do të afrojmë sa më tepër lojtarë të talentuar. /Sport Ekspres