Laçi nuk e ka nisur në mënyrën e duhur kampionatin shqiptar, teksa në tre ndeshjet e para që ka zhvilluar, ka marrë një pikë. Pikërisht në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit e mbyllur në shifrat 1-1, atje ku pati shumë diskutime për një penallti të paakorduar në ndërhyrjen ndaj Rrocës.
Sa i përket kurbinasve, Abdurrahman Fangaj, është një nga “pasuritë” e ekipit. Ende në moshë të vogël, por mban peshën e lojës mbi shpatulla pa shumë ndikim dhe pritet që të ketë një të ardhme edhe më të ndritur. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Fangaj shprehet se Laçi i vërtetë do të shihet nga ndeshja e radhës.
Tre ndeshje kanë kaluar në kampionatin shqiptar. Si e vlerësoni paraqitjen tuaj deri tani dhe ku keni çaluar më tepër?
Nuk e kemi filluar në mënyrën më të mirë këtë kampionat, duke parë dhe pikët që kemi. Mendoj se ato gabime që janë bërë në ndeshje e kaluara do të analizohen dhe pastaj të rregullohen. Që ndeshjen e ardhshme do të shikoni atë Laç që jeni mësuar të shihni, pra në formën më të mirë.
Për t’u ndalur te ndeshja e fundit, ajo me Kukësin. Me fat që dolët me pikë, apo mund të merreshin edhe 3 të tilla? Ka pasur edhe një penallti të paakorduar.
Mendoj që duke parë edhe rastet nga të dyja ekipet, besoj se 3 pikëshi mund të ishte i joni, plotësisht i merituar. Përsa i përket penalltisë nuk na takon ne që të flasim, pasi janë specialistët e arbitrimit për atë punë.
Në fillimin e sezonit Laçi u vetëshpall si pretendent për titullin kampion. Nuk kanë kaluar shumë ndeshje, ka ende shpresë brenda ekipit për një rikthim të madh?
Objektivi primar është “Europa League”, ashtu si edhe çdo sezon. Por sigurisht, mund të pretendohet më sipër kur ka shumë shpresë breda ekipit. Përse jo?!
Ndërkohë një zbulim i madh duket të jetë Naubueze. Gola të tillë si i fundit ndaj Kukësit, i shënon shpeshherë në stërvitje?
Përderisa shfaq çdo ndeshje cilësitë e tij më të mira, padyshim është një zbulim që do të na ndihmojë shumë. Atë që e bën në ndeshje, e bën edhe në stërvitje.
Ke qenë një nga lojtarët më në formë. Si shkon karriera në aspektin personal, të tundoi ndonjë ofertë tjetër gjatë verës?
Deri tani mund të them se jam i kënaqur me veten time, por si çdo i ri ka mundësi edhe për më tepër. Do ia lëmë kohës, unë jam i fokusuar te Laçi. /Sport Ekspres/