Silvinjo ka bërë zgjedhjet e tij për lojtarët që do të ketë në dispozicion për dy ndeshjet e para të Ligën e Kombeve. Nuk kanë munguar befasitë, duke qenë se mungonin sërish emra si Uzuni, Bare, Daku, apo edhe Berisha. Lidhur me këtë të fundit, një prapaskenë ka dalë në dritë. Në një intervistë për “Koha Shtesë”, Bylbyl Sokoli ka zbuluar se mes Silvinjos dhe Berishës ka pasur një fërkim për shkak të mungesës së minutazhit në EURO 2024. (Videon e plotë e gjeni më poshtë)
“Ka pasur disa fërkime që nuk kanë qenë të vogla. Fjala vjen, kam informacion që Etrit Berisha ka reaguar shumë ashpër për shkak të minutazhit, që nuk e ka pasur në Europian. Ai ka qenë kapiten i ekipit. Por kur përzgjedhësi vendos që ky portier do të jetë, duhet të respektohet.
Megjithatë tashmë Berisha ka ngelur jashtë, shihet si një hakmarrje e Silvinjos. Nuk ka kuptim deklarata që nuk erdhi tani se nuk ka minuta në ekip. Flitet për një lojtar shumë të rëndësishëm. Për mua Silvinjo nuk e ka menaxhuar si duhet situatën dhe nuk i ka bindur që përse ky vendim është më i drejtë”, ka deklaruar Bylbyl Sokoli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/