Ekskluzive/ “Edhe Brazili do e ketë të vështirë me ne”! Kola vlerëson Shqipërinë: Rasti i Brojës më kujton Devi Mukën, këta e kanë sharë Kombëtaren edhe në Europian

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria arriti që të fitonte me Andorrën dhe i mbylli me sukses këto kualifikuese të Botërorit. Të paktën objektivi i vendosur që në fillim të udhëtimit është arritur, për të marrë minimalisht vendin e tretë. Për më tepër që kuqezinjtë kanë arritur kuotën e 18 pikëve, me Rejën që kthehet në trajnerin që ka grumbulluar më shumë pikë në historinë e Shqipërisë për kualifikueset e Botërorit.

Disa analistë dhe ish-futbollistë kanë qenë kundër këtyre shifrave, duke kujtuar se Kombëtarja ka luajtur ndaj San Marinos dhe Andorrës. Për të diskutuar këto tema dhe në përgjithësi mënyrën sesi e ka parë Kombëtaren Shqiptare, “Sport Ekspres” ka intervistuar Agustin Kolën. “Këta persona e kanë sharë Shqipërinë edhe kur shkuam në Europian”, thotë mes të tjerash Kola.

Agustin, si të është dukur në këndvështrimin tënd ky rrugëtim i Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit?

E përgjithshmja e kualifikuesve të Botërorit është pozitive. Shoh që trajneri ka futur lojtarë të rinj dhe kërkon që të eci para. Madje edhe ndaj Andorrës kishte diskutime se përse nuk është futur njëri apo tjetri lojtar. Ne këto ndeshje i shfrytëzojmë për të parë lojtarë të rinj dhe kjo është gjë e mirë.

Shumë fjalë janë thënë edhe për rekordin e 18 pikëve nga Reja, disa ish-sportistë dhe analistë nuk e quajnë si arritje duke kujtuar rivalët si Andorra dhe San Marino…

Shiko, ne ikëm në Francë, shkuam në Europian, kemi arritur kulmin tonë dhe po këta persona e shanë sërish Kombëtaren. Një gjë e mirë, është gjë e mirë. Kam dëgjuar të tjerë që thonë se humbja me Anglinë na ktheu mbrapa në kohë, para 40 vitesh. Këta njerëz që para 40 vitesh nuk kishin lindur akoma, bëjnë këto krahasime. Jam rrahur unë 8-0 me Gjermaninë në vitet 80. Për mua Kombëtarja e arriti kulmin në Francë. Ua kam thënë edhe më para që ne kur dilnim jashtë shtetit në kohën tonë dhe kur u thonim: “Albania”, vetëm ngrinin supet, nuk dinin gjë. Kur e tregonim me gishtin në hartë, reagonin: “Skënderbeu”. Na mbanin mend vetëm për Skënderbeun.

Pra le të themi se për herë të parë është folur për Shqipërinë tjetër në Francë…

Po normalisht, atje është arritur kulmi ynë. Por siç e thashë që edhe kur shkuam në Europian, të njëjtët persona e kanë sharë Kombëtaren. Unë nuk e kuptoj sinqerisht dhe më vjen shumë keq. Nuk është turp që të mundi Anglia 5-0. Ne kemi prespektivë dhe lojtarë me të ardhme. Por dua të cek edhe pjesën që në vendin tonë bëhet dy orë stërvitje në Superiore, që në kohën tonë bënin kooperativat. Fati ynë i mirë në 80, jemi bërë profesionistë pasi flinim në klub. Se thonë disa këtu që përse nuk janë marrë lojtarë të caktuar që luajnë në Shqipëri. Le të jemi realist, jemi shumë larg me prodhimet e Superiores, nuk janë për Kombëtaren me kaq orë stërvitje.

Ishim shumë afër atij kualifikimi me ndeshjen kundër Polonisë në Air Albania. Sa pengje mund të kemi për atë fitore që nuk u arrit dot në shtëpi?

Kemi zhvilluar dy ndeshje fantastike ndaj Hungarisë dhe Polonisë, kemi luajtur futboll dhe kemi luajtur në sulm. Tani llogariteni pak që Shqipëria të luajë në sulm, le të jemi të drejtë. Një Ronaldo i iku Juventusit dhe humbi si skuadër. E çfarë prisnit ju që me gjithë ato dëmtime që kishim ne ndaj Polonisë? Apo për të kaluar te Anglia, që edhe vetë Maradona e ka pasur ëndërr që të luajë në Angli, prandaj bravo djemve të rinj që luajtën atje. Të gjithë lojtarët e mëdhenj e kanë pasur ëndërr që të luajnë në Wembley dhe atje luhet sikur të kesh 500 kile mbi kurriz.

Sa i përket çështjes së Armando Brojës, mendon se ka gabuar diku Reja ndaj tij?

Armando Broja ka qenë i dëmtuar dhe prandaj nuk ka luajtur, ndryshe do të ishte nga minuta e parë kundër Anglisë. E futi ndaj Hungarisë dy herë që na dha fitore, e futi prapë me Poloninë, do të ishte dhe me Anglinë. Po ja si mendoni ju, ka trajner që nuk e do lojtarin e mirë? Kur mora unë Tiranën, më kujtohet Devi Muka, ishin shumë shokët e tij të ekipit që më thonin: “Hiqe, hiqe”. I mblodha një ditë dhe i thashë: “Po a hiqet Ronaldo?”. Një rast, një moment, një mundësi dhe do të gjej golin.

A do të vijë momenti që Shqipëria ta bazojë gjithë lojën e saj te Armando Broja, siç luan Norvegjia me Haland dhe Polonia me Lewandowskin?

Duhet pak kohë që të shkrihet me grupin, ju e patë rastin e Bajramit që nuk e pasoi te Roshi ndaj Andorrës. Broja? Po a e kemi shfrytëzuar potencialin e tij për 20 minuta? Llogarite pak që të jetë nga minuta e parë.

Kemi arritur dy fitore ndaj Hungarisë dhe u komentua se Hungaria ishte Kombëtare e dobët. Në fakt, ky ekip arriti të merrte 4 pikë me Poloninë dhe barazim në Wembley. Sa meritë i jep trajnerit?

Po si është ekip i dobët Hungaria? Kapeni me histori, Shqipëria me Hungarinë dhe shikojeni pak diferencën mes nesh. Shikojeni sa herë ka marrë pjesë në kompeticionet e rëndësishme dhe pastaj Shqipërinë, kështu duhen parë gjërat.

Pas këtyre kualifikueseve të mbyllura të Botërorit, a mund ta arrijmë suksesin në Europian, për të shkuar sërish në këtë kompeticion? Jemi gati?

Me atë që shoh unë, edhe Brazili të vijë në Shqipëri do ta ketë të vështirë. Kemi luajtur bukur me Poloninë në të dy ndeshjet, por ne nuk e kemi akoma një Leëandoëski, një Ronaldo apo një Mesi që të vendosi takimet. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *