Ekskluzive/ Dervishaj: Spektakli me drita para çdo ndeshje, aplikojmë për Superkupën e Europës

“Arena Kombëtare” ka bërë edhe testin e parë të ndriçimit, atje ku ka dhuruar spektakël me dritat. Një pamje që të kujton përafërsisht atë që bën Juventusi përpara çdo ndeshje. Por kjo e ardhur te stadiumi i ri në kryeqytetin tonë, ishte vetëm një testim, apo do të praktikohet edhe para ndeshjes së Kombëtares?

“Sport Ekspres” ka kontaktuar me personin përgjegjës në FSHF, sa i përket infrastrukturës, Arben Dervishaj. Kështu, sigurohet fakti se “Arena Kombëtare” do e ofroj këtë spektakël gjithmonë, ndërsa po bëhet gati edhe aplikimi për Superkupën e Europës në vitin 2022. Në fakt kjo nuk është hera e parë, por nëse në rastet e shkuara kemi aplikuar me projekt, tashmë jemi me objekt. Gjithashtu saktësohet se në këtë stadium nuk mund të luhet një finale e “Europa League” apo “Champions League”, për shkak të numrit të ulët të tifozëve karshi kërkesave që janë për këto organizime.

Kemi parë spektaklin e testit të ndriçimit dhe ngjason me stadiumin e Juventusit, që praktikohet para çdo ndeshje. Kjo ishte vetëm një provë apo do të jetë e njëjta procedurë?

Sistemi që ne kemi krijuar te dritat është për të bërë spektakël. Sa i përket pyetjes suaj, do të bëhet gjithmonë para çdo ndeshje. Faktikisht kemi menduar edhe për prozhektorë që do të jepnin dritat e tyre me ngjyra, por nuk e kemi për momentin. Gjithsesi ky stadium do të shërbej edhe për koncerte apo evenimente të tjera jo sportive. Do të praktikohet para ndeshjeve të Kombëtares dhe do të ofroj spektakël si në stadiumet e tjera në Europë, ku futet edhe Juventusi që përmendët apo edhe të tjera.

Për kur do të jetë gati ky stadium, me Francën apo që me Andorrën?

Stadiumi do të jetë gati që me Andorrën. Është politika e Federatës pastaj që ku do të luhen këto takime. Nëse më pyet mua në aspektin personal, mendoj se më bukur do të ishte ta inaguronim ndaj Francës.

Çfarë tjetër mbetet për t’u punuar, ndonjë detaj i fundit?

Do të bëhet edhe një ndeshje kontrolli para Kombëtares, për të parë se çfarë nuk ecën. Por brenda datës 10 tetor, stadiumi është gati. Ka disa punime shumë të vogla dhe po punohet me dy turne. Pjesa e tribunës përballë dhe dy anësoret janë gati në përfundim. Ngelet pak për t’u punuar dhe lidhur në vendosjen e xhamave. Punimet janë përqendruar atje ku jemi “diçka më mbrapa”. Më tepër në tribunën VIP dhe atje ku qendrojnë gazetarët. Fusha ka përfunduar, është shtruar bari. Flitet për një bar “Bermuda” që ne kemi përdorur dhe që rri jeshil deri në maj. Po punohet shumë edhe në anën e infrastrukturës jashtë atje ku janë 150 puntorë. Pastaj presim edhe UEFA-n për të dhënë përgjigjen e fundit, por 99.99% jemi të bindur se është gati.

Tërmeti i fundit që lëkundi Shqipërinë. Pati ndonjë dem dhe deri sa përballon “Arena Kombëtare”?

Nuk pati asnjë lloj dëmi nga themeli. Ky stadium është gati për tërmete të forta që bien njëherë në 975 vjet. Sa mban? Deri në lëkundje dy herë më të fuqishme sesa ky që kemi përjetuar.

Është i përshtatshëm për të luajtur ndeshje të një nivelit të lartë? Përshembull një finale të “Europa League”…

E kam shpjeguar dhe më herët. Nuk mund të luhet finale e “Champions League” apo “Europa League” këtu. Arsyeja qëndron se kapaciteti i stadiumit është i vogël bazuar në kërkesat e UEFA-s në lidhje me këto evenimente.

Sa kërkohet saktësisht?

Bëhet fjalë për stadiume që nisin nga 40.000 vende që të kenë mundësinë për të marrë të drejtën e një organizimi të tillë. Por në atë zonë nuk e ndërtonim dot një të tillë. Megjithatë ne jemi gati për të aplikuar rreth Supërkupës së Europës në vitin 2022.

I plotësojmë kërkesat mbi një organizim të tillë?

Po, pasi Superkupa e Europës kërkon 20.000 ulëse për tifozët. Pastaj kemi edhe pjesën tjetër teknike që e plotësojmë. Do të dërgojmë dosjen dhe do të shpallim kandidaturën. Tani nuk jemi më me projekt, por me objekt. /Sport Ekspres/

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online