Kukësi arriti të fitonte me Partizanin në shifrat 1-0 në kryendeshjen e javës së 19 në Superiore. Goli i ardhur nga Kristal Abazaj ngjalli edhe shumë diskutime, pasi topi ka qenë në vijën fatale dhe nuk ka pamje të qarta për të parë saktësisht nëse sfera ka qenë apo jo brenda.
Nëse te verilindorët janë të bindur se goli ishte i rregullt, ndryshon tërësisht interpretimi te Partizani. Jo vetëm për protestën e bërë gjatë ndeshjes, por në të njëjtin mendim janë edhe pas mbylljes së 90 minutave. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Bruno Telushi shprehet:
“Mesfusha ka bërë një punë të mirë dhe lojtarët bën punën që i dha trajneri. Duhet të kesh pak fat, për më tepër ai nuk ishte gol. E kemi parë edhe videon pas ndeshjes, të gjithë jemi të bindur që topi nuk e ka kaluar vijën. Nuk isha në dhomat e zhveshjes dhe nuk e di se çfarë është folur atje. Pas kësaj humbje i largohemi disi kreut, por duhet të bëjmë punën tonë dhe pastaj të shohim”, ka thënë Telushi. /Sport Ekspres/