Ekskluzive/ “Brdariç është më gjermani”, flet lojtari i 4 golave të Vllaznisë: Në Shkodër jetojnë me futbollin

Në karrierën e Ardit Hoxhajt do të shënohet në kalendar 27 dhjetori i 2020 dhe nuk do të harrohet lehtë. Kurrsesi nuk mund të ndodhi gjithmonë që të tundi 4 herë rrjetën e kundërshtarit brenda 90 minutave. Për të qenë më të saktë, Hoxhaj e arriti objektivin brenda 60 minutave duke përfituar kështu edhe nofkën “gjermani”.

Kjo për shkakun se nuk tregoi aspak mëshirë ndaj kundërshtarit që dukej tërësisht i dorëzuar në fushën e lojës. Por kush ishte më “gjermani” ndaj Skënderbeut, Hoxhaj apo Bradriç? “Them se trajneri ishte më gjermani. Ai na përcjell mentalitetin e tij ne”, shprehet Hoxhaj për “Sport Ekspres”.

Futbollisti në fjalë po jep rendiment të madh te Vllaznia duke i tejkaluar pritshmëritë. Kalimi nga Flamurtari që ra nga kategoria te Vllaznia e titullit kampion ishte me hap gjigandi për Hoxhajn, që po ecën në këtë mënyrë. “Nuk mendoj se do të jetë vetëm një ekip që do të na rivalizojë për titull. Do të jenë disa skuadra edhe për garën e Europës, por ne duhet të shohim vetëm punën tonë. Jemi një grup shumë i mirë i futbolistëve , punojmë shumë në stërvitje, zbatojmë detyrat e trajnerit, kemi harmoninë me njëri-tjetrin dhe shumë uri për të ecur përpara”, shprehet Hoxhaj.

Ndaj Skënderbeut ka arritur që të shënojë thuajse me çdo tentativë që ka bërë në portën kundërshtare. “Isha shumë i motivuar për ndeshjen e sotme pasi kam punuar fort në gjithë këtë periudhë. Jam ndierë shumë i lumtur dhe sigurisht që dua të vazhdoj në këto ritme. Në Shkodër e ndiejnë së tepërmi futbollin dhe shpresojmë se do t’i bëjmë të lumtur tifozët”, ka përfunduar Hoxhaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *