Ekipi ku aktivizohet edhe mesfushori shqiptar, Qazim Laçi, ka hedhur kandidaturën si një prej ekipeve pretendente për t’u ngjitur në “Ligue 1”. Në një barazim pa gola u mbyll transferta e fundit, por atje ku nuk ishin aspak favorit.
Bëhet fjalë për kryesuesin e kampionatit në “Ligue 2”, Lorientin. Si gjithmonë, Qazim Laçi ka luajtur si titullar dhe pa u zëvendësuar nga trajneri Pantaloni. Ky i fundit ka një dashuri të veçantë për këtë lojtar, madje siç do të pohonte edhe vetë Laçi disa herë kanë nisur pyetjet në dhomat e zhveshjes mes humorit: “Po ti do na largohesh?”.
Menjëherë pas barazimit 0-0 me Lorient, trajneri i Ajacios ka shkuar për të folur me Qazim Laçin: “Ke qenë lojtari që ka vrapuar më shumë në fushën e lojës sot, nga të dyja skuadrat. Të përgëzoj shumë për këtë gjë. Ndoshta duhej të tregoheshim më të saktë në ato rastet për të gjetur golin”, ishte vlerësimi dhe këshilla e trajnerit të Ajacios sipas asaj që zbulon “Sport Ekspres”.