Ekskluzive/ “Ardiani Ismajli është lojtar perfekt i ideve të mia”! Trajneri i Serisë A flet për “Sport Ekspres”: Ja se çfarë po ndodh me Nedim Bajramin

Intervista e realizuar nga Klaudio Ndreca për Sport Ekspres me trajnerin e Empolit, Paolo Zanetti

Empoli është mbushur me futbollistë shqiptarë në këto vitet e fundit. Një xhevahir ka dalë nga kjo skuadër, Kristjan Asllani, që në moshën 20-vjeçare e gjeti veten të transferuar te Interi. Por në ekipin e drejtuar nga Zanetti, gjenden edhe dy lojtarë të tjerë që janë shumë të rëndësishëm për Kombëtaren e Shqipërisë.

Këtu jemi duke folur për Ardian Ismajlin dhe Nedim Bajramin. Pas intervistës me presidentin e Empolit, Corsi, “Sport Ekspres” ka arritur që të marrë një prononcim edhe nga trajneri i Empolit, Paolo Zanetti. Ky është njeriu që transformoi Ardian Ismajlin në Serinë A, pasi te Kombëtarja mbrojtësi në fjalë ka qenë gjithmonë i një kalibri të lartë. Por çfarë ndodhi papritur në ndryshimin e formës së Ismajlit? Zanetti nuk nguron që ta cilësojë lojtarin perfekt për idetë e tij të mbrojtjes.

“Nuk e di nëse diçka ka ndryshuar te Ismajli për mënyrën sesi luan. Unë mund t’ju them se Ardiani është një lojtar me temperament që jep gjithçka nga vetja për të bërë mirë në fushë. E shoh shumë ambicioz. Ismajli është një lojtar perfekt për idetë e mia të mbrojtjes, e ka kuptuar shumë shpejt taktikën time. Në Itali i kushtojmë më shumë vëmendje pjesës së taktikës. Pas periudhës fillestare të përshtatjes, është përmirësuar shumë dhe tani është lider i mbrojtjes tonë, por edhe një lider karizmatik jashtë fushës”, tha Zanetti.

Më së miri trajneri i Empolit e pa Ardianin edhe në ndeshjen miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë, atje ku Ismajli shënoi golin e kuqezinjve. Ishte një provë për të treguar se mbrojtësi mund të konkurroj në nivelet më të larta, ndërsa menjëherë pas atij realizimi Zanetti do ta uronte.

“E pashë atë ndeshje miqësore. Ismajli bëri ndeshje të mirë dhe shënoi një gol me asistin e Bajramit. Në përgjithësi, performanca e tij po vjen në rritje. Në atë takim ka luajtur në mbrojtje me tre lojtarë, ndërsa zakonisht luan në skemën me katër mbrojtës. Kjo tregon vlerën e tij në përshtatje dhe është i vetëdijshëm për vlerat që ka”, u shpreh trajneri i Empolit.

Pikëpyetja më e madhe e tifozëve shqiptarë mbetet Nedim Bajrami. Te ky lojtar shohim një potencial të madh që nuk po arrin ende të shprehet në fushën e blertë. Në jo pak ndeshje Nedimi gjendet në stol te Empoli dhe kjo na mërzit së tepërmi duke ditur vlerat e tij. “Bajrami është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe Kombëtaren e Shqipërisë. Verën e kaluar nuk u largua nga Empoli. Gjatë pjesës së parë të këtij sezoni ka bërë disa ndeshje të mira duke ndihmuar ekipin. Nedimi po rritet dhe tani është thuajse në nivelin e tij më të mirë. Ne e shohim si një futbollist shumë të rëndësishëm. Unë personalisht kam një marrëdhënie të mirë me ta, si me Ardianin dhe me Nedimin. E vlerësoj sinqeritetin e tyre, janë besnikë dhe duan të përmirësohen dita-ditës”, përfundoi Zanetti. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online