Nga Klaudio Ndreca
Nëse do të vizatonim një ekip perfekt të Superiores, cili do të ishte ai? Tirana ka bërë një ecuri fantastike në ndeshjet ku drejtohet nga Egbo dhe pas shumë kohësh është duke i dhënë hapësira lojtarëve të akademisë.
Por tashmë bardheblutë janë trajtuar mjaftueshëm në shkrime, ndërsa një ekip që do të prekte perfeksionin është rasti i Luftëtarit. Pra mënyra sesi po paraqiten bluzinjtë me lojtarët e zgjedhur në fushë, por nga ana tjetër duke fshirë rrethanat e Gjirokastrës.
Në këtë vend ia besuan të gjithë ekipin vetëm të rinjëve, duke parë vështirësinë dhe katrahurën ku skuadra ndodhej. E thënë ndryshe, e ardhur kjo në një mënyrë aspak të duhur, si zgjidhja e hallit dhe jo si një projekt i prespektivës.
Ka pasur jo pak takime kur këta të rinjtë kanë shkëlqyer te Luftëtari që ka shumë probleme, duke i surprizuar të gjithë. Por t’i besosh akademisë është një projekt që duhet të nisë prej vitesh, e jo të shihet si një varkë shpëtimi kur ndodhesh në mesin e detit të trazuar dhe je duke u përmbysur.
Zakonisht në vendin tonë kjo ndodhë me ekipet që nuk kanë më mundësi që të blejnë lojtarë të tjetër dhe kanë vështirësi të mëdha financiare, duke e zgjidhur problemin me një pagë shumë të ulët për të rinjtë e tyre. Ky është fenomeni që nuk duhet të ndodhë kurrsesi, duke përfunduar edhe në rezultate të dobëta. Presioni që ata futbollistë të rinjë duhet të mbajnë, mënyra sesi zgjidhen dhe aktivizohen të gjithë dhe pa veteranë që t’i drejtojë dhe mungesa e vlerësimit në pagesë krahasuar me të tjerë para tyre, janë vetëm disa nga faktorët për një paraqitje më të dobët.
Në Shqipëri duhet t’i hidhen paksa sytë edhe nga trajneri Lampard, që ka gjetur vaksinën e futbollit që krijon imunitet ndaj Koronavirusit. Kur të gjithë janë në një periudhë të vështirë dhe klubet kanë rënë ndjeshëm nga financa për shkakun e pandemisë, nuk e dinë ende sesi do të zgjidhin problemin për blerjen e lojtarëve për një merkato me shumë shpenzime si dikur.
Por nuk ka problem për Lampard, pasi nuk është pritur pandemia për t’i besuar akademisë. Një numër i jashtëzakonshëm i të rinjëve ka debutuar me ekipin e parë të Chelseat, si kurrë më parë, ku mes tyre ishte edhe shqiptari Armando Broja.
Ndërkohë që zëvendësi i Lampard është ish-trajneri i akademisë së Chelseat, Jody Morris. E kush më mirë sesa vetë ky trajner mund të dinte vlerat e lojtarëve të rinjë, që i ka nxjerrë dhe kanë kaluar në duart e tij? Futbollistë këta të cilat luajnë ende për pasion, stemë dhe zemër, ndërsa “virusi i parasë dhe jetës së shfrenuar” nuk i ka prekur ende. Gjithmonë ka zgjidhje, gjithmonë ka modele, por asnjëherë nuk përshtasim ato të duhurat… /Sport Ekspres/