Sipas medias “Zëri.info” klubet kosovare vazhdojnë të ndjejnë vështirësi financiare, të cilat u përkeqësuan me pandeminë COVID-19 . Një prej tyre është një nga skuadrat e njohura, Ferizaj, që ka hasur probleme shumë të mëdha ekonomike.
Në fillimin e sezonit në krye të Ferizaj u vendosën disa investitorë të fuqishëm nga Anglia, ku njëri prej tyre ishte dhe ish-futbollisti i njohur i Premierligës, Brian Christopher Deane, por i cili nuk qëndroi shumë në krye të ekipit, duke mos shlyer detyrimet e pagave të stafit dhe futbollistëve. Aksionerët e mbetur nga Anglia janë dorëzuar totalisht dhe për disa muaj i kanë nxjerrë aksionet në shitje. Drejtori i klubit, Nadir Haxhimusa ka konfirmuar lajmin e rëndësishëm për portalin Zeri.info. “Anglezët i kanë vendosur në shitje aksionet një javë më parë. Presim që shumë shpejt të ketë një zgjidhje. Për momentin klubi po menaxhohet nga Mustafë Grainca”, – u shpreh Nadir Haxhimusa. /Sport Ekspres/