Në pritje të muajit janar, kur do të mësohet edhe “Skuadra e Vitit 2018”, pas votimeve të tifozëve në faqen zyrtare të UEFA-s, konfederata europiane ka publikuar edhe “Ekipin Historik”. Një skuadër yjesh, e krijuar nga lojtarët që kanë qenë pjesë e nominimeve më tepër se të tjerët.
Me rreshtimin 4-3-3, skuadra është krijuar nga yje të mëdhenj. Duke nisur nga porta, aty ku ndodhet Iker Kasijas, që me gjashtë kandidatura (e fundit në vitin 2012) pozicionohet përpara të gjithë kolegëve. Mbrojtja përbëhet nga Sergio Ramos në krahun e djathtë, pozicioni ku kapiteni i Realit ka nisur karrierën, ndërsa qendra përbëhet nga dyshja e Barcelonës, Pujol-Pike. Në krahun e majtë është legjenda e Bajernit, Filip Lahm.
Në mesfushë një tjetër legjendë, ish-kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherard, së bashku me dy kampionë bote të Spanjës në vitin 2010, Ksavi dhe Andres Iniesta. Sulmi përbëhet nga fenomenë të jashtëzakonshëm: Kristiano Ronaldo në njërin krah dhe Tierri Henri në krahun tjetër, ndërsa Lionel Mesi pozicionohet në qendër.
Numrat e kësaj skuadre, janë një tregues i qartë i këtyre dy dekadave të fundit: në formacion janë gjashtë spanjollë dhe një argjentinas, i cili ka luajtur gjithmonë në La Liga (Mesi). Atyre u shtohet një portugez që ka luajtur 9 vjet në Spanjë, si edhe Henri, që e ka një të kaluar te Barcelona. Me pak fjalë, nga lojtarët që nuk janë aktivizuar asnjëherë në gadishullin Iberik janë vetëm Xherard dhe Lahm.