Nga Klaudio Ndreca
Skënderbeu nuk dorëzohet në qëllimin e vetëm për t’u kthyer sërish si në kohët e arta, atje ku shërbeu si një lokomotivë për kampionatin shqiptar. Arritjet e mëdha në Europë bënë që të rriste edhe diferencën ndaj skuadrave të tjera në Superiore, duke fituar disa tituj rradhazi.
Aktualisht korçarët janë të dënuar dhe nuk mund të shkojnë në Europë, por nuk dorëzohen për t’ia dalë në gjyqin e fundit që pritet që ta jap verdiktin në qershor. Këtë herë është drejtori sportiv, Haris Fakiç, që për “Syri.net” është shprehur se ekipi po kërkon arritjen në zonën e Europës në kampionat. Kjo pasi ka shpresa të mëdha për t’u kualifikuar dhe fituar gjyqin më pas, megjithëse për skuadrat e tjera nuk llogaritet një triumf i Skënderbeut në fazën e fundit.
“Skënderbeu nuk ndryshon shumë nga ekipet e tjera, pasi edhe ne kemi qenë në kushte karantine. Një skuadër që nuk del komplet në stërvitje, me lojtarët që stërviten veç e veç, prishet ekuilibri dhe nuk jepet gjithçka që duhet. Na nevojitet pak më shumë kohë për të stabilizuar skuadrën. Realisht 3 javë janë pak për të qenë të gatshëm për kampionatin.
Mendimi im është që më shumë do i nënshtrohemi fatit, sesa strukturës reale të ekipeve. Do jemi në nivele të barabarta, pavarësisht investimeve të bëra. Deri në fund do ketë më shumë fat, sesa kualitet.
Nuk do të jemi të prekur shumë nga ky aspekt, pasi tregu shqiptar nuk është i shtrenjtë. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha në çështjen e blerjeve, pasi edhe klubet evropiane do të jenë të kujdesshëm në blerje. Do të përdoret një matematikë tjetër. Transferimet nuk do të ndalen. Besoj se një skuadër ka vendosur të blejë për shembull Devi Bregun, s’do të ketë ndikim të madh në çmim.
Skënderbeu çdo herë ka qenë korrekt, kështu që ne jemi optimist. Për ne kjo është çështja më e rëndësishme, të kalojmë këtë verë, të mbyllim kampionatin. Ne do të luftojmë për pjesëmarrjen në Europë, pasi nëse fitojmë gjyqin, do të luajmë në kupat e Europës. I kemi mundësitë të kapim Evropën, pasi jemi një nga ekipet më kualitative në Shqipëri. Ne do të luftojmë për këtë gjë, pse jo që të marrim pjesë edhe në këtë vit”, ka thënë Fakiç. /Sport Ekspres/