Silvinjo është timonieri kryesor i kësaj Shqipërie, që i ka bërë të gjithë shqiptarët që të ëndërrojnë larg. Madje edhe në një grup të Europianit me Kombëtare si Italia, Kroacia apo Spanjë, në Shqipëri jo vetëm që nuk janë frikësuar, por e shohin mëse të mundur kalimin e grupit.
E gjitha kjo falë punës së madhe të Silvinjos, që ka shndërruar Kombëtaren. Të njëjtët lojtarë i kemi pasur më herët, përveç Asanit apo Mitajt, por ky trajner ka transformuar të gjithë bazën e vjetër. Në një rrëfim të fundit për “The Guardian”, me deklaratat e bëra, Silvinjo tregon saktësisht se pse suksesi i tij te Shqipëria nuk është një rastësi. Trajneri ka folur për shqiptarët, për seriozitetin dhe pasionin e tij të madh në punën që bën, por edhe një histori të bukur sesi i ka dhënë leksion një lojtari të Kombëtares.
“Asnjëherë nuk qëndrojë i qetë, lojtarët e dinë, Federata e di, Armand Duka e di. Festa e Krishtlindjes, Viti i Ri, normalisht t’i pushon dhe fillon punën në janar. Por gjatë gjithë kohës unë mendoj vetëm sesi mund të kalojmë grupin në Europian. Si do të luajmë kundër Italisë, si do të luajmë kundër Kroacisë dhe çfarë do të bëjmë kundër spanjolëve.
Duhet të gjesh me patjetër një mënyrë për të ulur diferencën mes nesh. Si? Duhet të punosh. Mendova: “Pse jo?”. Unë jam këtu dhe më duhet të punoj. I thashë Dorivës: “Duhet të jem i zgjuar, nuk mund të gaboj, një zgjedhje e keqe dhe mund të jem në telashe”. Teknikisht lojtarët tanë janë të mrekullueshëm, kanë diçka njdryshe dhe mund ta tregojnë këtë në fushë. Ata nuk janë bërë për të dalë në fushë dhe për të luajtur thjeshtë 4-4-2. Ne nuk kemi topin gjithë kohën në kontroll, nuk kemi nevojë të bëjmë shumë gjëra të veçanta. Lojtarët tanë e duan anën taktike, e kuptojnë punën e vështirë, por u pëlqen edhe të kenë hapësirë për të krijuar dhe unë si trajner duhet t’i lë për ta shprehur atë.
Kam punuar me Pep Guardiolën, kam fituar shumë si lojtar, tani di gjithçka që kam bërë më parë dhe mund ta përdor si trajner. Por nuk mund të vi këtu, të futem në dhomën e zhveshjes dhe t’u flas lojtarëve të mi sikur jam niveli tjetër. Nuk mund të futem në dhomën e zhveshjes dhe të bërtas: “Champions League”.
Përshembull, në një nga stërvitje e para te Shqipëria, një nga lojtarët më dha topin. Më tha: ‘Të shohim si e gjuan trajneri topin”. E mora topin direkt në dorë pasi gjëja e parë që na kanë thënë është që të mos bëjmë si fëmijë. Unë mund të kem teknikë të mirë, por doja të jepja një mesazh të madh. I thashë lojtarit tim: “Po, e kam bërë më para, por tani duhet ta bësh ti gjuajtje se unë nuk mundem më. Nuk është koha ime, tani është koha jote”. Sepse kështu duhet, ndoshta atëherë isha i rëndësishëm si lojtar, por tani nuk jam më, jam tërhequr nga futbolli. Tani do të luajmë 3 ndeshje, 90 minuta dhe gjithçka mund të ndodh aty. Njerëzit thonë: “Zotëri, qetësohuni, qetësohuni, por unë nuk mundem. Është detyra ime që të sigurohem për të bërë më të mirën”.
Tirana dhe Sao Paulo kanë një të përbashkët, janë njerëzit e Brazilit dhe Shqipërisë. Ne duam të përqafojmë të gjithë njerëzit. Më ndodh shpesh në Tiranë që kur shkoj në restaurant, njerëzit më thonë: “Eja dhe ulu këtu të hash me mua”. Dera jonë është e hapur, kjo është e përbashkëta”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/