Egnatia është surprizë, si realitet duhet të imponohet nën shembullin e…Atalantës!

10 pikë në 8 javë dhe duke ndarë mesin e tabelës me Vllazninë, që në sezonin e shkuar e fitoi titullin kampion me Teutën, me të njëjtën numër pikësh. Kjo është Egnatia e këtij kampionati që po i befason të gjithë. Në fakt, ky përcaktim po i irriton të gjithë në atë skuadër, i fundit që e komentoi ishte Cyrbja. Duke kujtuar organikën, afrimet e tyre në verë, rezultatet e marra dhe objektivat që në heshtje i kanë vendosur vetes, Egnatia nuk mund të pranojë që të shihet si e dorës së dytë në Superiore.

Por në të gjitha rastet, respekti imponohet, nuk merret lehtë. Për momentin dhe deri në fund të këtij sezoni, Egnatia duhet të pranojë që të quhet surpriza e Superiores. Luf.ta më e madhe e tyre duhet të jetë që të quhet surprizë e bukur dhe jo që të ndërrojë pamje gjatë rrugës. Pikërisht për shkakun e kësaj vazhdimësie që duhet të tregojë dhe arsyen se ka ardhur nga Kategoria e Parë, minimumi një ekip ka për detyrë që të arrijë në vendet më të larta për një sezon të plotë dhe jo vetëm me pak javë, atëherë përcaktimet si “surprizë” do të ishin të pavenda.

I tillë ishte edhe rasti i Atalantës, ekipit që në sezonin e parë kur arriti rezultatet që e dërguan në Champions League, shihej si befasia e Serisë A. Tashmë këto rezultate janë duke u arritur në çdo sezon dhe ekipi nga Bergamo është një realitet i bukur. Ndonjëherë nuk ka rëndësi sesi të quajnë të tjerët, mjafton të sjellësh ndërmend sesi e quan ti veten tënde dhe të vazhdosh rrugën. Për sa kohë Egnatia ecën me këto ritme, të gjithë do të flasin për të, qoftë kjo si realitet apo befasi… /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *