Të gjithë kritikë, të gjithë në garë për të gjetur problemet e Gjermanisë. Humbja kundër Meksikës ka shkaktuar një tërmet në Gjermani dhe trajneri Joakim Lëv është ndër personat më të kritikuar.
Edhe ish-futbollisti i famshëm Stefan Efenberg e thotë hapur mendimin e tij dhe kritikon trajnerin e Gjermanisë, për shkak të lënies në stol të Rojsit.
“Suedia është në një pozicion komod tashmë, pas fitores ndaj Koresë së Jugut, ndaj mund të luajë me shumë vetëbesim dhe ta vërë nën presion të madh Gjermaninë”, shkruan Efenberg në kolonën e tij në t-online.
“Nuk e kuptoj pse Rojs nuk luajti nga minuta e parë kundër Meksikës. Nëse është e vërtetë ajo që tha Rojs, se ishte lënë në stol për të qenë i freskët për ‘ndeshjet e rëndësishme’, atëherë trajneri ka gabuar totalisht në vlerësimin e situtës. Ndeshja më e rëndësishme ishte ajo kundër rivalit më të fortë në grup, Meksikës”.
Gjithashtu, Efenberg sheh probleme në mesin e fushës: “Skuadra ka nvojë për topa të rrezikshëm nga qendra e mesfushës, çka mungonte ndaj Meksikës, ndaj duhet futur Gyndogan, pasi Kros është shpesh i bllokuar nga disa kundërshtarë”.
Efenberg kritikon edhe Mats Humels: “Ai duhet të flasë në fushë, duke luajtur, si dhe të bisedojë me shokët dhe trajnerin, jo të flasë e të ankohet në media”.