Pas asaj ëndrre që u përmbush nga ana e De Biazit për herë të parë në histori te Kombëtarja, pas kualifikimit në Europianin e Francës, gjithçka është e qartë: “Çdo trajner te Shqipëria, do të krahasohet me të”.
Por nëse Panuçi kërkoi t’i qendronte larg këtyre paraleleve, jo vetëm në dëshirën e tij, por edhe në vepra, kjo nuk ndodhë me Rejën. I vetëdijshëm për historinë e arritur dhe në respektim të saj, Reja ka thënë gjithmonë se do të dëshironte të përjetonte të njëjtin emocion.
Ajo fitore ndaj Islandës ishte një shkëndijë. Sado e vogël, por tregoi forcën e Shqipërisë së vërtetë nëse luan me të gjithë shpirtin e saj në fushë. Por sa larg është Reja nga ajo që u arrit me De Biazin? Ndoshta, shumë afër.
Sekreti i atij kualifikimi në Europian ishte padyshim mesfusha. De Biazi i kishte tre tenorët e tij që nuk i ndërronte kurrë. Xhaka, Abrashi dhe më i rëndësishmi, Kukeli. Të palodhshëm në mesfushë dhe që thyenin çdo aksion të kundërshtarit.
“Situata ka ndryshuar. Dikur aksionet e kundërshtarit mbylleshin që në mesfushë, ndërsa tani çdo iniciativë e tyre po përfundon në mbrojtjen tonë. Po na bëhet detyra shumë herë më e vëshitrë”, do të shprehej Mavraj në kohën kur merrnim disa rezultate negative radhazi me Panuçin.
Madje me shumë të drejtë. Pikërisht atje po çalonim dhe pikërisht atje ishim për notën “10” me Islandën. Bare dhe Gjasula ishin dy tenorët e rinjtë të prurë nga ana e Rejës. Të palodhur dhe që gjendeshin si një hije për lojtarët rivalë. Gjasula arriti për të parën herë që mungesa e një lojtari si Kukeli të mos ndihej.
Ndërsa sa i përket tenorit të tretë, këtu mund të ketë pak vend për dyshime. Mesfushori Ledian Memushaj na ofroi një ndeshje të jashtëzakonshme në “Elbasan Arena” dhe pa të nuk mund të vinte ajo fitore në rezultatin 4-2. Por vitet nuk flasin shumë në favorin e tij dhe një dyshim mbetet i llogjikshëm. Gjithsesi, Amir Abrashi është sërish aty për t’u kthyer edhe njëherë si një lider, vetëm se këtë herë me dy lojtarë të tjerë përkrahë. Nëse më parë u provuan aq shumë emra të afruar nga Panuçi si Kamer Qaka dhe Astrit Hajdari që më pas nuk lanë më gjurmë, këtë herë është një tjetër situatë.
Më afër se kurrë, kjo Shqipëri e ka gjetur shpirtin dhe e ka ndezur zjarrin që është folur prej kaq shumë kohësh. Turqia do të jetë testi i së vërtetës dhe Kombëtarja premton shumë për atë që do të pasqyrohet në fushën e lojës. /Sport Ekspres/