Nga Klaudio Ndreca
Në gjithë këto vite të fundit kemi dëgjuar, parë projekte dhe më pas shijuar stadiume të reja në Shqipëri ku gjithçka kulmoi me “Air Albanian”. Pavarësisht diskutimeve që hasen thuajse pas çdo çështje, ku mendimet kanë gjithmonë kundërshti, padyshim që mundet të thuhet se ndërtimi i ri në kryeqytet është një luks për futbollin shqiptar.
Por nuk do të ndalen këtu pasi thuajse çdo skuadër tanimë kërkon që të ketë një “shtëpi më të bukur”, duke parë edhe rritjen e standartit të modernizimit. E gjitha kjo tregon një rritje të figurës në paraqitjen e jashtme, por pikërisht këtu lindte edhe një tjetër debat.
A është futbolli shqiptar vetëm një reklamim i bukur që nuk ofron asgjë në brëndësinë e tij? Epo rezultatet e fundit tregojnë qartësisht lidhjen zinxhirë të projektit dhe një të ardhme premtuese, për një të erë të re që fryn për Shqipërinë.
Për ta nisur fillimisht me ekipet shqiptare, atje ku për herë të parë ishin katër skuadrat tona që arritën të kalonin turin e parë të Europës. Tirana nga ana tjetër do të përballej jo vetëm si e barabartë, por do të dominonte një kundërshtar si Crvena Zvezda që në sezonin e shkuar ishte pjesë e grupeve të “Champions League”.
Dhe për këdo që kishte dyshime për nivelin e ekipit serb, mjafton të theksojmë që ka nisjen më të mirë nga të gjitha vitet e fundit në kampionatin e Serbisë. E çfarë ndodh nëse i bashkojmë të gjitha këto bashkë? E si mund ta vërtetojmë saktësisht nëse ishin kundërshtarët dobët dhe ishim ne mirë, pasi gjithmonë hasen dyshimet?
Atëherë, Shqipëria U-21! Koronavirusi solli edhe një anë pozitive në futoboll, pas shumë ndikimeve negative. Disa lojtarë nuk mund të vinin te Shpresat për shkakun e pandemisë dhe kjo i hapi tërësisht vendin produktit shqiptar që të maste forcat ndaj Austrisë.
Në letër ishte një ndeshje e pamundur për t’u fituar pasi flasim për një Kombëtare që është nga më të mirat në Europë dhe në ndeshjen e parë na kishte mundur në shtëpi në shifrat 0-4. Por kur gjashtë lojtarët e Superiores e nisin së bashku si titullar, atëherë prodhohet një shifër historike. Shqipëria arrin të mundi në transfertë në shifrat 1-5 Austrinë, duke shkëlqyer në lojën e saj dhe duke gjunjëzuar rivalët.
Ernest Muçi, një tjetër prodhim dhe produkt i Superiores futet në fushën e lojës për të shënuar dopietë edhe pse hyn në minutën e 53 të takimit, si të kishte dalë nga shkollat më të mira të futbollit duke vallëzuar ndaj kundërshtarëve. Nga ana tjetër Adolfo Selmani kishte po të njëjtën efikasitet dhe siguri në prapavijë si Geraldo Bajrami, lojtari i formuar te Birminghami. Pa harruar Ismajlgecin dhe Markun nga krahët që siguruan për herë të parë krahët e Shpresave, ndoshta si asnjëherë më parë, pasi gjithmonë çalonim në këtë drejtim duke i dhuruar golat kundërshtarëve.
Pra e përmbledhur në pak fjalë kjo fitore ngroh dyfish më tepër sepse vjen me produktin shqiptar dhe jo tërësisht të huaj për t’u ambalazhuar si i joni. E të gjithë këta futbollistë janë të prespektivës që në të ardhmen do të luajnë me Shqipërinë A. Reja po përgatit terrenin për ta, por fillimisht duhet të nisi edhe vetbesimi për fituar në transfertë ashtu si edhe në shtëpi.
Kombëtarja A i’a dalë pa shumë probleme ndaj Bjellorusisë duke fituar në shifrat 0-2. Një fitore të tillë në këtë transfertë nuk e kishim bërë kurrë më parë. Të gjitha këto shenja të rezultateve të ardhura dhe të bashkuara me shtëpitë më të bukura që jemi duke ndërtuar, tregojnë qartësisht se hëna ndriçon për një të nesërme më të bukur. Dhe në Minsk hëna ishte e plotë, duke i dhënë më shumë dritë suksesit tonë. Futbolli, ndër të paktat kënaqësi që ka ky vend… /Sport Ekspres/