Redon Xhixhës nuk i është dashur shumë kohë për t’u shkrirë me grupin në Azerbajxhan. Sulmuesi 24-vjeçar është përshtatur shpejt me Karabakun, ku në ndeshjen e fundit, të vlefshme për Ligën e Konferencës, e nisi nga minuta e parë. Ish-futbollisti i Tiranës iu afrua së tepërmi golit, teksa tronditi traversën ndaj Gentit. Një rast që siç thotë edhe ai vetë, e ka parë disa herë përsëritje. Megjithatë, Xhixha ka besim se goli do të vijë edhe për të. Në një intervistë për “Analizë Kuq e Zi” në “Supersport”, sulmuesi shqiptar ka sjellë si shembull edhe rastin e Uzunit, i cili e pati të vështirë fillimisht marrëdhënien me golin te Granada, por këtë sezon ka shpërthyer me gola.
“I kam parë disa herë (traversën dhe rastet e humbura), por fati nuk ishte me mua dhe nuk kam çfarë të bëj. Shpresoj që shumë shpejt do të vijnë edhe golat e mi. Sulmuesi i majtë është një francez që ka pesë vite këtu. Do të bëj më të mirën që të luaj, sepse nuk kam ardhur këtu për të qendruar në stol. Secili nga ne do të bëjë më të mirën për të luajtur.
Transferimi në janar është më i vështirë se në verë, sepse ekipet janë të plotësuar dhe nuk kanë nevojë për shumë afrime. Shpresoj që të përshtatem sa më shpejt. E kam parë që edhe Uzuni nuk u përshtat shpejt, por po bën namin me gola. Shpresoj që të shpërthej edhe unë.
Çdo lojtar e ka ëndërr të ftohet nga Kombëtarja, është një budallallëk të them që nuk e mendoj Kombëtaren. Sigurisht, nuk pretendoj të luaj gjithmonë, por të testohem dhe nëse jam i zoti, të aktivizohem.
Tirana është Tirana, veç me emër i mposht kundërshtarët. Nuk besoj se është dobësuar, ka lojtarë të tjerë shumë të mirë. Nuk kanë Xhixhën, por kanë Hasanin, Nikqin, Patrikun, Abazajn, Lushjken… E kam detyrim moral që në rast se kthehem një ditë në Shqipëri, të luaj me Tiranën”, ka thënë Redon Xhixha./Sport Ekspres/