Pak minuta më parë është mbyllur java e fundit e Superiores. Tirana ka fituar me shifrat 0-3 ndaj Egnatias, me golat e realizuar nga Abazaj dhe dopieta e Patrik. Por kjo ishte fitorja më e hidhur për bardheblutë që e shohin veten jashtë Final Four. Kjo pasi në krahun tjetër Skënderbeu ka shkatërruar Vllazninë 1-4 dhe për këtë arsye janë korçarët që marrin vendin e katërt. Një fitores spektakolare me 4 gola ka bërë edhe Partizani, ndërsa Laçi ka fituar kundër Kukësit, 2-0.
Mehmeti (Dinamo): “Mendoj që për vetë vitet që Dinamo ka që vuan në ligën inferior dhe tre vitet e fundit erdhi në kategorinë Superiore, ra, u ringjit, është një tranzicion. Për Dinamon si klubi, si ekipi i dytë më i titulluar në vend, minimalja që kërkon janë Kupat e Europës. Nga momenti që unë e mora, objektivi dihej kush ishte, sepse ishim në vend të fundit. Duhet të ishim më të kujdesshëm, që në janar. Duhet të marrësh lojtarë që kanë eksperiencë, që kanë luajtur në këto nivele. Kemi pasur raste të jashtëzakonshme. Shumë kemi prodhuar, por qetësia… Kemi marrë gola shumë naivë, që tregon se lojtarët nuk e përballojnë dot këtë lloj stresi. Gabimi i Dinamos ishte mënyra se si u ndërtua skuadra në gusht. I vetmi lojtar kam afruar unë është Qefalia. Janari nuk të jep shumë alternativa. Do të flasim me presidentin për projektin. Por ia lë presidentit të flasi (për të ardhmen e tij në stol).
E kam shumë pishman. Ishim aty afër. Na penalizuam gjithë këta faktorë që pararendita. Nuk më gëzon fakti që Dinamo është në Superiore, sepse e ka detyrim Superioren. Po të shkonim në Europë do të ishte mrekulli për Dinamon. Të nxirren mësime që të mos bëhen më këto gabime në ndërtimin e skuadrës. Skënderbeu dhe Teuta janë sipër Dinamos dhe kanë 40% më pak buxhet se ne? Skënderbeu është me meritë aty. Atë skuadër që kishte në Kategorinë e Parë, atë kishte edhe në Superiore. Edhe trajneri ka bërë një punë të mirë. Por jo çdo gjë varet nga buxheti. Edhe PSG-ja ka buxhet të lartë, por nuk e fiton dot Champions League-n”.
Fagu (Tirana): “Flas për pjesën kur kam qenë unë trajner i Tiranës. Ka disa kundërshtarë me të cilët kemi lënë pikë. Përmend këtu me Laçin ose me Skënderbeun, kur ishin me 10 lojtarë. Këto pikë na kanë penalizuar. Ai barazimi me Vllazninë… nëse do të merrnim tre pikët, do të flisnim ndryshe sot. Rastet i kishim, por presioni i rezultatit na ndikoi. Shpresojmë të kapim Europën nëse Egnatia fiton Kupën e Shqipërisë. E ardhmja? Nuk mund ta jap përgjigje. Në javët në vazhdim do të ulemi të flasim për të ardhmen. Kishim një dakortësi deri në fund të sezonit, me opsion për të rinovuar. Mendoj që Egnatia ka një ekip të mirë dhe të fortë, me lojtarë të fortë. Egnatia mund të jetë më e avantazhuar për të fituar titullin”.
Martini (Teuta): “Kishim projekte të tjera. Mendoja se edhe kështu si ishim, do ta kishim kapur Europën. Ka qenë viti më i pafat në drejtimin e Teutës. Kemi humbur 4 ndeshje në minutat e fundit, kemi humbur penallti, na u anullua një gol që ishte i rregullt. Vetëm me atë gol ne do të ishim në 4-she. Mjafton të jesh i mençur në blerje, nuk është vetëm leku ai që e bën një ekip. Eliminimi nga Kupa ishte më i rëndi. Jam i sigurt që Teuta ka fituar disa lojtarë. Ka disa futbollistë shumë të mirë që mund të luajnë me çdo ekip në Shqipëri, por edhe jashtë në Europë. Kam qejf që kampionatin ta fitojë Vllaznia. Do të jetë lu.ftë e fortë”.
Tetova (Egnatia): “Nuk të vjen mirë për rezultatin. Na duhet mobilizim. Është e vërtetë që lamë 3-4 lojtarë pushim, por duhet të ishim më mirë në organizmin e ndeshjes. Nuk kam preferencë në short, janë ndeshje finale. Janë ndeshje të forta. Kushdo ekip të jetë, do të jetë ndeshje finale. Rrotacioni ishte vetëm për të pushuar lojtarët. Nuk jam dakort që tempi të bjerë. Na duhet vazhdimësi. Tani do të fokusohemi te Kupa. Në pjesën e maratonës kemi dalë të parët. Tani kërkoj Kupën që të bëhet e dyta dhe pastaj kampionatin që të bëhen tre. A i pres tifozët e Tiranës në finale? Pse jo? Një support më tepër do të ishte”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/