“Edhe me Vllazninë fituam me lojë”! Trajneri i Kukësit i gëzohet fitores së arritur: I kam thënë lojtarëve që nuk e meritojnë këtë vend në renditje

Laçi është shpërfytyruar në Superiore duke humbur në shtëpi nga Egnatia me shifrat 0-1. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Paulaskas në minutën e 22. Pavarësisht se kishin të gjithë kohën në dispozicion për t’u kthyer, kurbinasit nuk arritën të reagonin për t’i shënuar kundërshtarëve. Madje Redi Kasa do të dyfishonte shifrat në fundin e pjesës së parë, por do të akordohej pozicion jashtë loje.

Në minutën e fundit do të akordohej penallti për vendasit, e cila do të anulohej sërish për pozicion jashtë loje pas rishikimit me VAR. Laçi vinte nga një ecuri e mirë dhe një fitore me Partizanin dhe tani humbet ndaj Egnatias. Nga krahu tjetër Kukësi ka fituar ndaj Kastriotit me shifrat 1-0. Goli i vetëm i shënuar nga Basha në të 49 i dhuroi tre pikët ekipit të Hallaçit që pas shumë javësh largohet nga zona e ftohtë dhe lë Kastriotin në vendin e fundit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Hallaci: “Kemi mbajtur në kontroll topin gjatë gjithë kohës. Duhet ta mbajmë topin ne, ashtu si edhe ndaj Vllaznisë që humbëm, por fituam lojën e kontrollit të topit. Ne duam që të shkojmë me pasime te porta e kundërshtarit. Duam që të shënojmë më tepër gola për të mos qenë në ankth deri në minutën e fundit. E rëmdësishme është që ekipi ka forcë reagimi pas humbjes. Kur mora ekipin punova 8 ditë në aspektin fizik për të ngritur skuadrën. I kam thënë lojtarëve që nuk e meritojnë vendin se ku janë, por ndodhi për arsye të ndryshme”.

Mezani: “Sot nuk funksionoi asgjë, nuk kemi prodhuar lojë. Mesfusha nuk mori përgjegjësi në ndërtimin e lojës. Nuk mundemi të pësojmë dhe pastaj të ndërtojmë për të shënuar. Kjo të del njëherë ose dy herë. Sot kemi të humbur të gjithë topat e dytë në luftën në ajër. Repartet ishin larg njëra-tjetrës dhe lojtarët nuk morën përgjegjësi. Kjo humbje nuk na falet, do ta shikoj prapë këtë ndeshje se e kemi luajtur në shtëpi, duhej ta fitonim”.

Tetova: “Jemi të kënaqur me këtë ndeshje, sidomos në pjesën e parë dhe një fragment nga pjesa e dytë. Kishim pesë ndeshje pa fituar dhe rezultatet po ndikonin në gjendjen psikologjike të lojtarëve. Kemi treguar një ndeshje shumë të mirë sot. Ne u rikthyem te loja e pasimit. Të gjithë lojtarët kanë bërë detyrat e tyre dhe ishte gjithçka perfektë. Sot morëm rezultatin dhe kishim lojë të bukur”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *