“Edhe këtë herë, futbolli bën Shqipërinë kryefjalë të Europës“, ish-lojtarët e Kombëtares vlerësojnë finalen e parë në Tiranë

Pak ditë më parë UEFA gëzoi të gjithë sportdashësit shqiptarë, teksa dhe vendimin që të zhvillohet në “Air Albania“ finalen e kompeticionit të saj të ri, Conference League. Një moment tejet i rëndësishëm ky për futbollin tonë, pasi për herë të parë në histori Shqipëtia do të jetë pritësi i një finaleje të një kompeticioni madhor europian.

Personazhe nga bota e futbollit kanë shprehur kënaqësinë e marrë nga një lajm i tillë dhe të rendisin të mirat që vijnë vendit tonë prej kësaj finaleje. Në një prononcim për “Telesport“, tre emra të njohur për shqiptarët, Demollari, Kola dhe Omuri ndajnë mendimin e tyre për faktin që UEFA i beson FSHF-së organizimin e finales së Conference League.

“E enjtja e tre dhjetorit vërtetë shënon një ditë historike për vendin dhe futbollin tonë. Është hera e parë në histori që ne do të zhvillojmë një nale me aromë europiane. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një punë të shkëlqyer dhe kjo nuk shihet më vetëm në zhvillimin e infrastrukturës, apo rritjes së cilësisë së futbollit në vend, por tashmë edhe me këtë arritje. Ne do të shënohemi në librin historik të futbollit si vendi që priti nalen e parë të këtij kompeticioni të ri që do të nisë. Jo vetëm për futbollin por kjo nale ndikon edhe tek ekonomia e vendit, duke i sjellë të ardhura buxhetit të shtetit, pasi priten më shumë se 20.000 tifozë. Unë besoj se imazhi i Shqipërisë do të rritet, më shumë se në 2016, pasi nëse në Europë ne ishim turistë, kësaj radhe jemi mikëpritës. E rëndësishme është të dimë ta vlerësojmë dhe të fillohet nga puna sa më shpejt”, është shprehur fillimisht Demollari.

Më tej Agustin Kola thekson se falë punës së madhe të Federatës së presidentit të saj më në fund është bërë e mundur të luhet në Tiranë një ndeshje e niveleve madhore. Ndërkohë nuk lë pa përmendur se është sërish futbolli ai që e bën Shqipërinë kryefjalë të Europës, ashtu sikurse ndodhi edhe në vitin 2016.

“Kjo finale ka një rëndësi shumë të madhe sa i përket së pari Shqipërisë dhe më pas edhe futbollit shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit ishte ajo që investoi shumë në Kombëtaren tonë dhe arriti t’i plotësojë ëndrrën shumë e shumë shqiptarëve duke i bërë të përjetojnë emocionet e Europianit të vitit 2016. Kësaj radhe, falë punës së madhe edhe të presidentit Armand Duka, ne do të shohim një finale europiane në Tiranë. Kur luanim ne, dukej si një ëndërr e parealizueshme ndërsa sot është realitet. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të Federatës, pasi nuk është e thjeshtë të çosh kandidaturën për të organizuar një event të tillë kur përballë ke shtete shumë më të zhvilluara. Futbolli ia doli edhe kësaj here ta bëjë Shqipërinë kryefjalë të Europës, ashtu sikurse në 2016”, ka thënë Agustin Kola.

Në fund fjalën e tij e ka thënë edhe Omuri. Ish-futbollisti e sheh këtë vendim të UEFA-s si diçka historike dhe burim krenarie për të gjithë shqiptarët. Gjithashtu nënvijëzon se një finale e tillë nuk shërben vetëm për të ngritur lart imazhin e vendit tonë, por sjell edhe të ardhura të mëdha nga tifozët që do të zbarkojnë në Tiranë për të ndjekur këtë finale.

“Është historike si ditë dhe si ngjarje pasi na bën tepër krenarë si shqiptarë. UEFA është një institucion serioz dhe nuk besoj se ka qenë një vendim i lehtë. Është një ngjarje me rëndësi të madhe dhe që do të përmirësojë jo vetëm imazhin e shtetit, por do t’i sjellë edhe të ardhura buxhetit të shtetit. Puna e FSHF-së u vlerësua maksimalisht me sjelljen e kësaj finaleje në Shqipëri. Ky është një kompeticion i ri dhe është diçka e bukur që finalja e parë do të zhvillohet në stadiumin tashmë jo vetëm kombëtar, por ndërkombëtar ‘Air Albania’. Tani na mbetet neve të tregojmë se çfarë jemi të aftë të bëjmë”, është shprehur Omuri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *