Duke gjykuar nga afrimet e kohëve të fundit, duket se po bëhet një punë e mirë për afrimin e talenteve shqiptarë në kombëtare. Bëhet fjalë për talentet që luajnë jashtë Shqipërisë dhe që nuk kanë shpërthyer ende në arenën ndërkombëtare, por duke qenë se jemi “djegur” shpesh në të shkuarën, nuk mund të presim sa t’i njohë gjithë bota.
Ditët e fundit presidenca ka pajisur me pasaportë shqiptare edhe dy talente, të dy mesfushë 19-vjeçarë.
Agon Muçolli është mesfushor i cili luan te Vejle në Danimarkë, ku ka nisur sezonin e tretë si profesionist, ndërsa ka qenë pjesë e Danimarkës U17 dhe U19, që i ka braktisur për të luajtur me Shqipërinë. Kurjoz është fakti se te Vejle luan edhe Arbnor Muçolli, vëllai i Agonit, i cili është titullar fiks te ekipi danez dhe gjithashtu ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë në të ardhmen.
Ndërkaq, me pasaportë shqiptare është pajisur edhe Agon Husejni, mesfushor i talentuar i Shkëndijës së Tetovës, i lindur në Zvicër nga prindër shqiptarë.
Të dy mesfushorët kanë aplikuar kohë më parë dhe do të jenë pjesë e Shqipërisë U-19 ose asaj U-21 në të ardhmen e afërt.