E vërteta e Çanit, kalvari i nisur me shiringa te Piza!

Sulmuesi luajti 3 muajt e fundit në Serinë B duke shtrënguar dhëmbët sepse duhej prania e tij për të besuar te mbijetesa. Partizani, i shtyrë nga protagonizmi i merkatos, bëri “autogol” duke e aktivizuar

Nga Anton Cicani

Duhet të ishte goditja e madhe e verës, por për momentin është vetëm zhgënjimi më i madh i merkatos së verës, edhe pse ka firmosur një kontratë rreth 150 mijë euro në sezon, bashkë me bonuse, sigurisht, edhe pse askush nuk e ka zbuluar shifrën e vërtetë dhe qëndron mister…

Po flasim për Edgar Çani Jr, i cili deri tani ka zhvilluar vetëm 2 ndeshje në kampionat dhe 1 në kupën e Shqipërisë, duke realizuar edhe një gol. Praktikisht, vetëm 3 ndeshje nga 9 të zhvilluara nga skuadra e kuqe. Dhe, një tjetër shifër evidente është se në dy ndeshjet që ka luajtur, nuk e ka goditur ansjëherë rrezikshëm kuadratin e portës, si ndaj Kukësit, ashtu edhe përballë Skënderbeut, që janë edhe dy skuadrat që qëndrojnë mbi ekipin kryeqytetas.

Rikuperimi – Për ish-sulmuesin e kombëtares së Shqipërisë dhe Pizës, në fakt, periudha e rehabilitimit dhe kurat e ndjekura në Itali kanë shënuar mjaft mirë dhe sipas asaj që ka mësuar “Sport Ekspres”, pritet të jetë gati për të zbritur në fushë për rreth 2-3 javë. Praktikisht, sipas kalendarit të mjekëve, nëse gjithçka shkon siç duhet, sulmuesi mund të ulet në pankinë në sfidën e parë të fazës së dytë, Laçi-Partizani, për të mos rrezikuar.

E vërteta – Por, nëse kjo gjendje e sulmuesit mbërriti deri në këtë pikë, sigurisht që kanë faj shumë protagonistë: vetë futbollisti, klubi, trajneri, por edhe mjeku, duke qenë se praktikisht, sulmuesi duhet të kishte qëndruar jashtë dhe të mos rrezikohej. Sulmuesi ka zbritur në fushë, si ndaj Kukësit, ashtu edhe Skënderbeut, jo vetëm duke shtrënguar dhëmbët, por edhe duke rrezikuar një dëmtim edhe më të gjatë se sa kaq. Në fakt, mund të mos luante deri në janar.

Fakti është që ky problem në gju është një kalvar i vjetër. E gjitha nisi te Piza, ku në tre muajt e fundit të sezonit të shkuar, në Serinë B, ku skuadra kishte nevojë për pikë mbijetese, Edgari bëri përpjekje të mëdha duke luajtur me shiringa. E gjitha për të mposhtur dhimbjet në gju, të shpeshta për të. Ka qenë këmbëngulja e tij dhe ndoshta edhe një “dritë jeshile” e mjekëve ajo që ka çuar në një dëmtim edhe më të rëndë. Ndërsa, “autogoli” i Partizanit ishte ai që, duke parë se gjendja e sulmuesit ishte ende jo e mirë, rrezikoi duke i dhënë mundësinë të zbriste në fushë.

Sepse, nëse Çani do të kishte qëndruar pushim deri në fund të shtatorit, tani do të ishte në fushë me të kuqtë, si një armë më shumë. Madje, në dy ndeshjet kundër Kukësit dhe Skënderbeut, sulmuesi ka qenë vetëm një numër më shumë në fushë, teksa nuk ka rrezikuar ta zgjeronte më shumë hapin e tij edhe në vrapime, për të mos rrezikuar të lëndohej edhe më shumë.

1 Gol

ka shënuar Edgar Çani me Partizanin. Atë në kupën e Shqipërisë ndaj Naftëtarit, ndërsa në kampionat janë vetëm 180 minuta (ndaj Kukësit dhe Skënderbeut)

Çfarë tha mjeku për dëmtimin?

Në lidhje me situatën e Edgar Çanit dhe gjendjen e tij, klubi i kuq, në faqen zyrtare, publikoi edhe një prononcim të mjekut Dhimosten Gjini: “Nëpërmjet saj kërkojmë të informojmë mediat dhe opinionin publik sportiv për gjendjen e Edgar Çanit. Gjendja fizike që po kalon sulmuesi Çani është thjesht sforcim, që ka ardhur për shkak të ngarkesës në stërvitje, fakt i cili është konstatuar edhe nga mjeku italian, që e ka operuar. Lojtari për disa ditë do të kryejë një program atletik të diferencuar nga grupi për t’u riaftësuar, nën kujdesin e fizioterapistëve. Kjo është e vërteta në lidhje me gjendjen fizike të sulmuesit Çani”.

Çfarë tha sulmuesi për dëmtimin?

Thuajse një muaj e gjysmë më parë, vetë sulmuesi i Partizanit, Edgar Çani, në një deklaratë të dhënë për faqen zyrtare të klubit, do të sqaronte kështu zërat në lidhje me mungesën dhe problemet e tij fizike: “Gjendja ime fizike ka ardhur si rezultat vetëm i mbingarkesave në stërvitje. Aktualisht po ndjek një program me intensitet të lart trajtimi në kujdesin e stafit mjekësor e shoqëruar me një përgatitje atletike të diferencuar nga grupi. Ndërkohë përgatitjen tekniko-taktike vazhdoj ta zhvilloj normalisht me skuadrën. Shpresoj që në të ardhmen nuk duhet të reagoj për formën time dhe të mos më duhet të mohoj fjalë jo të deklaruara nga unë personalisht, sepse nuk janë pjesë e profesionalizmit tim dhe nuk i shërbejnë pozitivisht ambientit te Partizani”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *