Roko Vata, djali i Rudi Vatës, ka debutuar në mbrëmjen e djeshme me ekipin e parë të Celtic. Vetëm 17 vjec dhe për këtë arsye ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Por cilën Kombëtare do të zgjedhi ky futbollist?
Aktualisht është pjesë e të rinjëve të Irlandës dhe ironia e fatit pasi grupmosha ku luan aktualisht Roko, ndodhet në të njëjtin grup me të rinjtë e Shqipërisë. Ai do të vijë në vendin tonë për të luajtur kundër kuqezinjëve, të paktën për tani. Nga ana tjetër, në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, ishte Rudi Vata që foli hapur sa i përket zgjedhjes që do të bëjë djali i tij.
“Gjëja kryesor në futboll është pasioni. Fëmija duhet ta ketë këtë pasion për të ecur para, ata duhet të jenë të lirë dhe jo nën presionin e prindit. Nuk duhet të jetë ajo e ego që fëmija im është shumë i zoti, duhet menduar se ka rrugë akoma përpara.
Nëse një fëmijë ka pasion, grintë dhe vendosmëri, nuk ka gjë që e ndalon. Unë i këshilloj prindërit që t’i lënë të lirë fëmijët e tyre sepse Zoti i jep talent çdo fëmije për të bërë diçka në jetë. Unë mbaj mend si fëmijë kam pasur gjithmonë një plan në mendje. Në kohën time nuk mendoja të shkoja më larg se kapiteni i Shqipërisë, aq ishte maksimumi i ëndrrës time. Mendoja çdo ditë, që nga mosha 10 vjec, çohesha nga gjumi me atë ide dhe mendim për të qenë kapiten i Shqipërisë.
Kombëtarja që do të zgjedhi Roko? Unë do të dëshiroja që Roko të bëhej futbollist i niveleve për të luajtur me Kombëtaren, se është arritje e madhe. Deri tani Roko nuk është ende në ato nivele, prandaj do të flisnim kot. Objektivi i tij i parë është vazhdimi te Celtic. Kur të vij momenti i Rokos për të zgjedhur Kombëtaren, duhet të pyetet Roko.
Duhet të kuptojmë diçka. Ka shumë njerëz që paragjykojnë, janë të lirë. Të gjithë prindërit kanë përgjegjësi të kujdesen për zogun e tyre, për produktin e tyre. Fëmija im duhet të bëhet i rëndësishëm në jetë, por duhet të kuptohet se dëshira që kam unë për djalin, është dëshira që kam unë. Unë vendin tim e dua, nuk mund të jem dikush tjetër, pasi Zoti e vendosi që të lindja në Shqipëri.
Unë misionin tim në Shqipëri e kam bërë shumë mirë dhe imazhin e vendit tim e kam përcjellë shumë mirë, jam pranuar në shoqëri të rëndësishme europiane. E kam pasurur sadopak imazhin e Shqipërisë me punën time. Unë duhet të ruaj zogun tim që të ketë jetë të mirë dhe produkt të mirë. Sa i përket zgjedhjes Shqipëri, Skoci apo Irlandë, do të jetë pikëpyetje derisa Roko të bëhet burrë dhe ta vendosi vetë”, tha Rudi Vata. /Sport Ekspres/