Nga Klaudio Ndreca
Të fitosh derbin nën “flakë” dhe të ankohesh për shkodranët! Logjika që nuk qëndronte, e ka thënë Bufon
Mes fjalëve të shumta dhe “thumbimeve” në distancë ajo që mori më tepër vëmendje sesa vetë fitorja e Vllaznisë ndaj Partizanit ishin pretendimet e Olsi Ramës. Drejtori sportiv i të kuqve u shpreh se në stadium ishte një numër më i lartë tifozësh sesa numri i lejuar nga protokolli. Por kjo nuk mund të jetë një arsye për një ekip si Partizani që të humbasi. Një skuadër e cila ka provuar arenat europiane, që ka përballuar presionin për të dalë kampion dhe që e ktheu derbin në pronën e saj për shumë vite, pavarësisht se stadiumet do të ishin gjithmonë të stërmbushura dhe “nën flakë”. Papritur kjo skuadër nuk arrin që të përballojë thirrjet e 400 apo 500 tifozëve shkodranë nga shkallët e stadiumit. Padyshim që një shkelje e tillë duhet të denoncohet në organet kompetente për të zgjidhur këtë problem, por humbja e Partizanit ka ardhur nga Vllaznia. E legjenda Bufon kur dikur është pyetur për tifozët e flaktë turq do të shprehej: “E kam thënë edhe ndaj Celtic. Unë deri tani nuk kam parë asnjë tifoz që të shënojë gol. I qëndroj kësaj ideje pa pikë dyshimi”. Pra kur flasim për një numër të jashtëzakonshëm tifozerie dhe që ka impakt të madh në fushën e lojës. Por sërish nuk ka mundësinë për të ndryshuar rezultatin e lojës pasi fati vendoset nga vetë protagonistët. Te Partizani duhet të merren më shumë me problemet brenda shtëpisë së tyre. Më kryesorja, zhbllokim i merkatos pasi për gjithë pjesën tjetër mendon trajneri Ilir Daja që e ka treguar përgjatë gjithë kësaj kohe se është një nga më të mirët në qarkullim.
Blerja më e mirë e Vllaznisë është Albani! Partizani, vetëm “ushqimi” i radhës
Më parë të uritur për shkakun se nuk kishin të garantuar rrogat dhe duke mbërritur në skena të turpshme për të marrë paratë që u takonin, me panoramën që ofrohej dhe që nuk i kishte hije një ekipi si Vllaznia. Tani të uritur vetëm për trofe dhe për të fituar çdo ndeshje të mundshme, duke luajtur me të njëjtin pasion, grintë dhe dëshirë. Mes blerjeve në merkaton e verës që ishin të goditura, pavarësisht se nuk kishte një emër “të madh”, spikat lëvizja më e mirë që është bërë në këto vitet e fundit: “Alban Xhaferi”. E për këdo që pati dyshimin më të vogël te sponsori i Vllaznisë mjafton që të shoh gjendjen e ekipit në këtë vit dhe ta krahasojë me të gjitha vitet e fundit, për të zgjedhur këdo sezon që dëshiron. E nëse sërish nuk ka bindje të plotë, atëherë mjafton që të pyesë lojtarët shkodran se çfarë ka ndryshuar si me magji te skuadra. “Shkopi magjik” nuk ekziston, por ata që ekzistojnë janë personat serioz, me dëshirë të madhe për të përparuar dhe për të lënë gjurmë në qytet, e sigurisht që me një filozofi tjetër pasi janë më të rinj në moshë dhe i përkasin një tjetër brezi. Për këta persona vuajmë në futbollin shqiptar, por Vllaznia e ka një të tillë. Në futboll fiton në shumë raste ekipi që e dëshiron më tepër triumfin dhe ndaj Partizanit ishin shkodranët. Të kuqtë ishin “ushqimi” i radhës për ekipin që ka urinë më të madhe se të gjitha të tjerat për të dalë te titulli kampion që i mungon prej vitesh.
Të gjitha rrugët kalojnë nga Muçi! Mes kritikave dhe vlerësimeve të mëdha, prodhimi vendas ka cilësi
Tirana ka arritur që të marrë fitoren e dytë radhazi në këtë kampionat dhe me Nevil Deden në krye. Këtë herë është fituar ndaj Apolonisë në shifrat 3-0 dhe gjithçka është krijuar nga këmbët e Ernest Muçit. Në Shqipëri i vlerësojmë të huajt gjithmonë më tepër sesa prodhimi vendas. Me siguri se nëse Muçi nuk do të ishte shqiptar, vlerësimet për të tek bardheblutë do të ishin shumë herë në masë më të madhe nga ana e mediave. Në tre gola të realizuara te bardheblutë, të tre kanë pasur përfshirjen e Muçit. Mënyra sesi futbollisti zbavitet në fushën e lojës mes driblimeve i jep më tepër spektakël Superiores. Por nuk kanë munguar edhe kritikat gjatë këtyre kohëve për të thënë se Muçi nuk arrin që të mbajë përgjegjësinë për të marrë mbi shpatulla Tiranën. Këtu flasim për një tjetër histori shqiptare pasi sulmuesi është vetëm 19-vjeç dhe në çdo vend të Europës kujdesen që presionin t’ia largojnë edhe për kritika më të vogla, ndërsa në rastin tonë “i veshim” përgjegjësi që as nuk duhen menduar.
Skë“NDERI” i Kukësit! Po i frikëson në Superiore, po krijon edhe një “përbindësh golash”
Vështirësitë i bëjnë njerëzit kampionë edhe më të fortë! Një i tillë është edhe Skënder Gega, që pasi kaloi shumë peripeci me shëndetin e tij gjatë kohëve të fundit, kthehet menjëherë në detyrë te Kukësi. Por jo vetëm, pasi së bashku me të janë edhe pesë fitore radhazi. Së fundmi duke mundur Skënderbeun, që këtë sezon është dukshëm më dobët, por që ka një histori rivaliteti nga sezonet e shkuara. Padyshim që afrimi i këtij trajneri ishte blerja më e goditur për Kukësin, që deri tani shihet si rivali i vetëm i Vllaznisë në luftën për titullin kampion. Për më tepër Gega po krijon edhe një “përbindësh golash”, Eze. Sa herë që Kukësi ka nevojë për të tundur rrjetën e rivalit, Eze shfaqet për të bërë detyrën e tij aq thjeshtë, si të mos ekzistonte asnjë problem i vetëm. Një trajner si Gega mund të thyejë edhe zakonin e Gjicit për të lëvizur 2-3 trajner brenda një kampionati.