E veçantë/ Ja ç’mësuam nga java e parë e Superiores! Zguro e bën si historia Murinjo-Baloteli, Aralica i kalibrit tjetër dhe “MIE e Dinamos”

Nga Klaudio Ndreca

“MIE e Dinamos”! “Ministria” që asfalton kundërshtarin dhe energjia që bënë diferencën në Superiore

Dinamo ka një “MIE” në fushën e lojës(Mihana-Ibrahimi-Enis(Gavazaj)! Është e njëjta me vetë kuptimin e fjalës së përcaktuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Pra me një Ibrahimi që asfalton rrugën për të gjetur golin ndaj kundërshtarëve dhe energjia e vërtetë që vjen nga shpërthimet e Mihanës dhe Gavazajt. Nëse do të marrim për bazë vetëm ndeshjet e para, Dinamo kishte sulmin më të frikshëm në Superiore. Pra duke vlerësuar paraqitjen e tre futbollistëve në harmonizim dhe jo vetëm performancën e një lojtari të caktuar. Agim Ibrahimi prodhonte shumë magji nga këmbët e tij, ndërsa i dha edhe një pasim gjenial Cinedou, që nga ana tjetër e përmbylli me një perlë. Ndërkohë Mihana dhe Gavazaj edhe pa i ndezur mirë motorët shkaktojnë panik për rivalët e tyre pasi marrin krahun. Këta lojtarë jo vetëm rezultativ për skuadrën, por edhe shumë të bukur për t’u parë në fushën e lojës në sytë e tifozëve.

Zguro i dha dorën Tiranës për të mundur Skënderbeun! Historia e tij me Memellin si e Balotelit me Murinjon

Tirana arriti të fitonte me shifrat 4-2 ndaj Skënderbeut, por shifrat nuk pasqyrojnë shumë takimin. Ose për të qenë më të saktë, në kushte të barabarta bardheblutë e kishin shumë të vështirë ndaj korçarëve. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1 dhe skuadra e Memellit mund të kalonte në avantazh në mbyllje të pjesës së parë, nëse VAR-i nuk do të debutonte në Superiore. Pika kulmore e ndeshjes nuk do të ishin dy golat e Ngo apo goditja e saktë e Limajt, por gabimi i Zguros. Pasi e mori një karton të verdhë në pjesën e parë, Zguro futet në të dytën sa për të bërë ritualin dhe kthehet mbrapsht në dhomat e zhveshjes duke lënë skuadrën me 10 lojtarë. Ndërhyrja e gabuar ishte tërësisht e evitueshme për futbollistin e Skënderbeut që e bënë në mesfushë pa pasur ndonjë rast emergjence për të kaluar në “planin B”. Arbitri nuk e mendoi dy herë për t’i treguar kartonin e dytë të verdhë dhe për ta ndëshkuar me të kuq. Padyshim që për vetë minutën, menjëherë pas hyrjes nga dhoma e zhveshjes dhe për vetë mënyrën se ku dhe si u krye ndërhyrja, Memelli nuk mund ta pranonte. Por nga ana tjetër Zguro është një prej futbollistëve me më shumë eksperiencë te ekipi dhe nuk mund të kritikohet që në javë të parë. Gjithsesi duhet të theksojmë se kjo histori përkon ngjashmërinë me Baloteli-Murinjo. Kur portugezi drejtonte Interin, do të ndesheshin me Rubin Kazan: “Baloteli e mori një karton të verdhë në minutën e 42. Në 15 minutat e pushimit jam marrë vetëm me Balotelin që të mos merrte karton tjetër se nuk kishim sulmues alternativ në stol për ta aktivizuar. E çfarë ndodhi? Në minutën e 46 u ndëshkua me karton të kuq”!

Aralica! Kush dyshoi te ky futbollist? Ndonjëherë mjaftojnë pak minuta për të kuptuar “brumin” që ke

Kur Aralica u bashkua me Vllazninë, nuk ishin të pakëta dyshimet në opinionin sportiv shkodran: “Çfarë kemi marrë?”. Karriera e sulmuesit 25-vjeçar ishte e pasur me ekipe si Lokomotiva Zagreb dhe Lokomotiva Plodiv. Por nga ana tjetër statistikat nuk flisnin shumë në favor të tij teksa shënoi 5 gola në sezonin më të mirë te Plodiv, ndërsa mesatarisht në gjithë sezonet e tjera ka shënuar vetëm 1 gol. Por mesataren e tij Aralica e ka kapur që në debutim me Vllazninë në Superiore, atje ku shkodranët fituan në shifrat 3-5 ndaj Laçit. Kroati tregoi gjithë klasin e tij dhe ishte i pakapshëm nëse nisej me driblimet nga krahu. Dikush mund të shprehet se nuk duhet të nxitojmë me përfundimet tona, por ndonjëherë mjaftojnë edhe pak minuta për të kuptuar “brumin”. Nga ajo që pamë, Aralica ishte kalibri i lartë dhe peshë e rëndë në Superiore. “Targën” ia la rivalëve në shërbimin për Da Silvan dhe shfrytëzon pasimin e Latifit duke përmbyllur i vetëm kundërsulmin, ku shumë futbollistë të tjerë nuk do ia kishin dalë dot edhe në saj të shpejtësisë së munguar me zotërimin e topit. Për më tepër që ndaj një mbrojtje e cila u tregua dinjitoze me Anderlecht. Për t’u duatrokitur!

Përulësia e trajnerit dhe i përhershmi Safet Gjici! Kontrasti i bukur i Kukësit, po aq sa vetë loja

Nëse marrim për bazë lojën e zhvilluar, harmonizimin mes reparteve dhe ndoshta jo me aq emra të bujshëm sa ekipet e tjera që synojnë titullin, Kukësi duhet të veçohet me patjetër në këtë javë të parë. Diego Longo debuton me verilindorët, debuton si trajner i parë dhe rezultati flet në favorin e tij. Mënyra sesi erdhi fitorja ndaj Egnatias? Edhe më e bukur! Verilindorët kërkojnë që të dalin mes pasimeve në fazën sulmuese dhe të gjithë futbollistët po i përgjigjeshin trajnerit. Nëse Gjici flet gjithmonë për titull kampion dhe ul gjithë rivalët e tjerë, e kundërta ndodh me Logon. Ky i fundit u shpreh se skuadra si Vllaznia, Partizani, Teuta, Laçi janë ende shumë më lartë se Kukësi. Por nëse te Kukësi dëshirojnë që t’i kapin rivalët, atëherë Longo u dha recetën e punës, që të bëhen po aq të mirë sa të tjerët. Pra kontrasti ishte shumë i bukur dhe me siguri që vetëm në këtë mënyrë te Kukësi mund të jenë më në këmbë në tokë për të kuptuar se rivaliteti përfshin edhe të tjerët, pasi në garë nuk je i vetëm. Nëse ekipi vazhdon kështu me Longon, do të mbërrijë shumë larg.

VAR shpëton diskutimet e mëdha që në javë të parë, nuk ka më zhurma për favorizime

I mbani mend javët e para të Superiores në sezonin e shkuar? Ishin “flakë” për polemika! Sa herë kishte gabime të arbitrave, menjëherë nisnin reagimet e para duke e kaluar diskutimin se emra të caktuar punonin për të dënuar ekipe të caktuara. Por me VAR u kuptua në këtë javë të parë se nuk ka tendenca, ndërsa arbitrat duhet ta ngrenë nivelin e tyre. Fillimisht ishte Kridens Meta, që u dërgua në Prokurori në sezonin e kaluar nga Partizani, që thërret kryesorin Xhaja për të parë rastin e 11-metërshit që u akordua ndaj Teutës. Për të vazhduar me rastin e Hakajt kundër Laçit. Këtë herë kishte vërtet nevojë për VAR që të kuptoje ndërhyrjen e gabuar ndaj lojtarit shkodran dhe sërish nuk ka “ngrënie haku”. Por gafa më e madhe u evitua te Tirana-Skënderbeu. Bismark ishte për t’u duartrokitur sesi aktroi pas ndërhyrjes së Hoxhallarit, ndërsa Jorgji drejtoi gishtin te 11-metërshi. Pas një thirrje nga dhoma e sistemit VAR, Jorgji kuptoi gabimin dhe anulloi gjithçka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online