Panuçi ka vlerësuar Marash Kumbullën në një prej mediave të Italisë. Teksa është folur për Romën që dikur do të shkëlqente si lojtar, ish-trajneri i Shqipërisë u ndal edhe te mbrojtësi i Kombëtares. Duke kujtuar kohën e dikurshme, Panuçi u shpreh se nuk e shfrytëzoi dot Kumbullën për shkakun e dëmtimeve të tij. Por kur flitet për periudhën te Roma, nuk mungojnë komplimentet.
“Kumbulla ka cilësi të mëdha, duhet të nxjerrë në pah karakterin e tij dhe klubi duhet ta mbështesë. E thirra kur isha te Shqipëria, por më pas u dëmtua dhe nuk mundi të vinte. E thirra sepse doja ta shihja, edhe sepse nuk kisha shumë lojtarë në Shqipëri.
Ai është një lojtar i mirë, mund ta shihni që ka cilësi të rëndësishme, por në një qytet si Roma duhet më shumë kohë për të nxjerrë në pah karakterin. Klubi duhet ta mbështesi fortë, duhet të prisni, qoftë edhe për një investim 30 milionësh. Duhet të presim, t’i bëjmë gjërat siç duhet dhe ta bëjmë atë të rritet, sepse nuk është e lehtë të kesh sukses në Romë në këtë moment”, tha Panuci. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/