Fenerbahçe prej kohësh është e interesuar të fitojë shërbimet e talentit shqiptar, Omar Imeri. Futbollisti 20-vjeçar ka bërë një sezon të shkëlqyer te Shkëndija e Tetovës, si dhe mban veshur edhe fanellën e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Mediat do e cilësonin si “Diamanti i ri Elmas“, duke e përafruar me Elif Elmas, të cilin Fenerbahçe e afroi në ekipin e vetë për ta katapultuar më pas te Napoli.
Tashmë gjigantët turq i besojnë lojtarit kuqezi, për të cilin kanë dorëzuar edhe një ofertë zyrtare në tryezën e Shkëndijës.Sipas “Sportmedia.mk“, drejtuesit e klubit të Fenerbahçes janë të gatshëm të paguajnë 150 mijë euro për shërbimet e Imerit, por tetovarët nuk janë të kënaqur me këtë shifër. Për të pasur një shtërngim duarsh në fund, Shëkëndija e Ernest gjokës kërkon dyfishin e shumës së ofruar, pra 300 mijë euro. Mbetet për t’u parë nëse ekipi i njohur turk do të pranojë të rrisë shifrën për Omar Imerin, i cili ka treguar në fushë se mund të jetë një bast i fituar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/