Milani është mposhtur sot nga Torino me shifrat 3-1. Pas përfundimit të ndeshjes, Stefano Pioli ka folur për “DAZN”-in, ku ka prekur çështjen e të ardhmes së tij. Trajneri i kuqezinjve ka deklaruar se deri më tani nuk ka diskutuar me asnjë klub tjetër, por gjithashtu nuk është takuar ende me drejtuesit e Milanit për të vendosur nëse do të vijojnë ose jo bashkëpunimin. Gjithashtu, Pioli ka vlerësuar punën e tij në krye të pankinës së Milanit, duke thënë se tashmë vendi i dytë duket si një rezultat i dobët për tifozët dhe opinionin sportiv.
“E ardhmja? Nuk jam i mërzitur me askënd. Patëm një situatë të vështirë rreth nesh dhe e përballuam në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk kam asnjë takim me klubin. Që kur kam qenë këtu jemi takuar gjithmonë në fund të sezonit. Për momentin nuk kam folur me asnjë skuadër tjetër. Do ta bëj nëse përfundon kontrata ime me Milanin, sepse kam respekt për këtë klub dhe për këta tifozë. Në këto vite i kemi rritur pritshmëritë e të gjithëve, sa që tani vendi i dytë duket si një rezultat i dobët”, ka deklaruar Stefano Pioli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/