“E prisja një ftesë nga Kombëtarja”, Hoxhallari tregon dallimet me futbollin rumun: U tregua në ndeshjen e Vllaznisë dhe Krajovës

Emri i Erion Hoxhallarit mungonte këtë herë në listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edi Reja për ndeshjet e fundit të grupit në Ligën e Kombëve. Mbrojtësi shqiptar tregon për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV” se e priste një ftesë nga Kombëtarja, aq më tepër tani kur po aktivizohet titullar edhe në kampionatin rumun. Megjithatë, ish-kapiteni i Tiranës, i uron kuqezinjve fitore kundër Izraelit dhe Islandës, në mënyrë që të sigurojnë vednin e parë në grup. Hoxhallari më tej ka rrëfyer edhe eksperiencën e tij në Rumani, duke vënë në dukje diferencat mes futbollit shqiptar dhe atij rumun.

“Ia uroj me gjithë zemër që këto dy ndeshje të dalin fitimtarë dhe të dalin në vendin e parë në grup. Shanset i ka, pasi me dy fitore dalin të parët në grup. Këto 10 javët e para në kampionat jam paraqitur mirë dhe i kam luajtur të 10 ndeshjet. E prisja një ftesë, por trajneri e ka menduar ashtu. Zgjedhja i takon trajneri. Mua personalisht më ka dërguar ftesën e pritjes dhe shpresoj që të thërritem.

Është futboll që ka infrastrukturë të mirë, stadiumet janë shumë të mira. Është një futboll më cilësor se në Shqipëri të them të drejtën. Batha ma ka bërë më të lehtë ambientimin këtu. Edhe ai është duke ecur mirë. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Nga Tirana më mungon çdo gjë.

Diferencat mes futbollit rumun dhe atij shqiptar? U tregua edhe në ndeshjen që pati Vllaznia me Krajovën. Në Rumani janë dy ekipe që janë në grupet e Ligës së Konferencës. Gjë që tregon se është më cilësor se futbolli shqiptar. Edhe futbolli shqiptar nuk është se ngelet shumë mbrapa. Infrastruktura lë më tepër për të dëshiruar në Shqipëri”, është shprehur Erion Hoxhallari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *