E plotë/ Teuta apo Vllaznia? Armand Duka bën zgjedhjen dhe flet për Kombëtaren: Nuk kam parë si Berat Gjimshiti

Armand Duka është i ftuar në emision “Skaner” që transmetohet në “MCN TV” për të komentuar situatën aktuale të futbollit shqiptar. Presidenti i FSHF është shprehur se nuk bëhet fjalë për garën më të mirë të Superiores, ndërsa njëkohësisht kujtoi se është përkrahësi i Vllaznisë.

“Superiorja? Nuk është cilësia më e mirë e viteve të fundit, por gara është e mirë. Mungesa e tifozëve dhe kjo situatë që po kalojmë ndikon që të mos kemi atë cilësinë e mëparshme. Gara është e fortë dhe është e vështirë që të parashikosh përshembull nëse Teuta e vendit të parë do të fitojë kundër Fierit.

Unë kam qenë tifoz i Vllaznisë dhe nuk e heq këtë gjë, pavarësisht se mund të duket si konflikt interesi. Tifozët? Është e keqe e pashmangshme që na ka rënë, do t’i donim në stadium, por nuk varet nga ne. Duhej të ishin në stadium pasi do t’i jepnin më shumë motivim futbollistëve.

Heqja e pasaportave diplomatike? Nuk e di nëse e meritonim dhënien e tyre sipas ligjit për arritjen tonë. Por nëse na e kanë dhënë, atëherë nuk duhej të na e hiqnin. Nuk është se lojtarët apo De Biazi e përdonin shumë pasaportën diplomatike, pasi kanë nga 2-3 pasaporta, por ishte një vlerësim për të treguar se ishin ambasadorët më të mirë të Shqipërisë.

Arbitrat? Gjithmonë do të ketë diskutime. Nëse e nis nga Teuta dhe deri te Apolonia dhe e pyet se kush është i penalizuar të gjithë thonë: “Unë jam i penalizuar”. Por nëse i pyet se kush është i favorizuar, askush nuk e di. Është në nivelin e lojës së futbollit tonë dhe ndoshta më i mirë.  KKë do të zgjidhja mes Teutës dhe Vllaznisë? E kam thënë preferencën time për Vllazninë.

Sporti shqiptar nuk është mbështetur nga Qeveria, megjithëse nuk është kjo koha më e mirë për të folur se janë edhe zgjedhjet. Ekipet tona nuk janë për lëmoshë. U premtua edhe për ligjin e sponsorizimit, nuk është bërë ende. Por jemi në periudhën e zgjedhjeve dhe uroj që Qeveria e re ta mbështes më shumë sportin. Qeveria ka një të mirë se bënë shumë më mirë propogandën se ne. Përveç stadiumit të Tiranës që ka investuar zero, tek të tjerat FSHF ka investuar 50% ose më shumë se aq.

Kombëtarja? Të rëndësishme janë gjithmonë pikët. Duke parë tre ndeshjet e fundit, kemi marrë pikët e pritshme. Nga niveli i lojës nuk jam i kënaqur në tre ndeshjet. Duhet të bënim një lojë më të mirë ndaj ekipeve që mbylleshin mbrapa. Bilanci i pikëve ishte pozitiv, por loja nuk ishte pozitive. Duhet të bënim hap kualitativ përpara. Ndaj San Marinos dhe Andorrës duhet të arrijmë më shpejt te goli dhe në mënyrë më spektakolare.

Duke nisur nga elementet tona dhe ekipet ku luajnë, ka shumë lojtarë që luajnë në ekipe cilësore dhe që marrin minuta, nuk ngrohin stolin. Nuk kam parë përshembull një lojtar që të rritet më shumë se Berat Gjimshiti te Atalanta që luan në Champions League apo Hysaj, Uzuni, Strakosha. Reja është ekspert dhe këtë nuk mund ta mohojmë. E ka bërë punën e tij që lojtarët të jenë grup. Shqipëria dikur që kishte mesfushorë dhe nuk kishte shumë mbrojtës. Tani kemi mbrojtësit ndoshta nga më të mirët në Europë dhe nuk kem shumë mesfushorë”, u shpreh Duka. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *