Presidenti i UEFA-s, Ceferin, ka ardhur në ditën e sotme në Tiranë për të inaguruar “Air Albania” ndaj Francës. Axhenda ka qenë e ngjeshur dhe gjithçka ka nisur me një vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”. Së fundmi, Ceferin ka qenë në një konferencë për shtyp së bashku me kreun e FSHF-së, Armand Duka.
Për ta nisur me një batutë kur Ceferin dilte i mundur me Kombëtaren e Shqipërisë në shifrat 1-0, për të vazhduar me investimet dhe projektet që e lidhin me futbollin tonë organizmin më të lartë të futbollit në Europë.
“Në fakt unë isha dhe më parë në Shqipëri si përfaqësues i Sllovenisë ku humbëm 1-0, por nuk do të doja që ta përmendja sot. Përmirësimi fillon nëpërmjet infrakturës dhe sjell sukses. Mbrëmja e sotme është e madhe, pasi nuk do të ndodh gjithmonë që të luash me kampionët e botës. Nuk do të doja të shprehesha vetëm për projektet, por edhe për mbështetjen dhe marrëdhënien me FSHF-në.
Armandon e kam mik, tashmë është pjesë e Komitetit të UEFA-s dhe dua ta falenderoj. Ju keni investuar në futboll dhe infrastruktura është duke u përmirësuar. Një përgjigje e sinqertë dhe jo diplomatike: “Shqipëria është në kursin e drejtë, jo të gabuar”. Kjo duke marrë parasysh edhe talentet. Projekti ynë i radhës është stadiumi i Kukësit.
Për të 15 herë më keni pyetur për Superkupën e Europës. Gjithçka është transparente dhe mund të aplikoni, për të pasur shanset tuaja. Por unë nuk mund të jap një premtim. “Air Albania” nuk mund ta konsideroj si “Wembley”. Asnjëherë nuk më pëlqen të bëj krahasime me më të mëdhenjtë. E rëndësishme është që ju keni një stadium kombëtar që të ofron siguri, kushte dhe çdo njeri mund të vij me familjen e tij. Nuk do të thoja “Wembley” i Ballkanit, pasi çdo gjë ka bukurinë e saj. Do të thoja se është më i bukur se të gjithë “Wembley-t” e tjerë”, ka thënë Ceferin. /Sport Ekspres/