“E patë edhe ju, goli i parë ishte me fat”, Gvozdenoviç flet pas ndeshjes: Ata krijuan pak raste për gol, luajtëm me 10 lojtarë

Vllaznia ka arritur që të fitojë me shifrat 2-0 ndaj Skënderbeut në transfertë. Megjithatë kjo ndeshje nuk ishte aspak e lehtë, sa pasqyron rezultati i takimit. Prençi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 35 pas ndërhyrjes së shkaktuar si lojtari i fundit.

Por pavarësisht kësaj, korçarët arritën që të mbanin portën e paprekur. Teksa po zhvillonte një super ndeshje, në minutën e 82, Dumfur bëri gabimin e madh duke shkaktuar një autogol. Kështu Vllaznia mori avantazhin dhe në minutën e fundit të takimit, talenti 20-vjeçar, Antonio Delaj, arriti të realizonte një super gol për të mbyllur historinë e takimit. Pas përfundimit të ndeshjes trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Për mendimin tim, në fazën defensive ishim mirë. Ishim në ekuilibër dhe ishim të fortë edhe në ajër me ata lojtarë. Kjo ishte ideja ime. Për mendimin tim, ata nuk krijuan shumë raste për gol. Plus ishim edhe me shpejtësi përpara. Sot jam shumë i mërzitur. Ishte shumë e vështirë me një lojtar mangët. Ishim shumë afër dhe mendonim që të mos pësonim gol dhe të qendronim në ekuilibër. Por edhe ju në studio e patë se si ishte goli i parë. Ishte pak me fat. Nuk ishte një krosim i bukur. Pastaj ishte shumë e vështirë të vazhdonim. Kur kemi edhe 10 lojtarë dhe kemi edhe 45 minuta nga pjesa e dytë dhe 10 minuta nga pjesa e parë, nuk do të mendonim vetëm se si do të rrimë mbrapa”.

Memelli (Vllaznia): “Kam dalë në këtë intervistë vetëm për të respektuar gjithë opinionin publik. Analizën vazhdoni ta bëni ju në studio. Vajza e mikut tonë Alban Hasanit, po lufton me jetën. Për këtë arsye më duhet t’ju lë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *