Eduard Zhupa u shpall analisti i vitit për emisionin “Ora Sport”. Gjatë festës së organizuar në “Ajman Park”, ku morën pjesë shumë prej figurave të njohura në komunitetin e futbollit, u shpërnda edhe çmimi i analistit të sezonit për këtë emision. Zhupa shpreh vlerësimet e tij dhe ndihet jo pak i kënaqur nga e gjitha kjo.
“Çmimi ishte vlerësim, ne mundohemi të jemi objektiv dhe ta vlerësojmë një çështje nga ana profesionale. Ishte një vlerësim nga ana e teleshikuesëve, por edhe e specialistëve të tjerë të fushës për mua si nga ana e kapacitetit intelektual dhe ai i leximit të ndeshjeve, pra aspekti profesionist. Çdo debat ka qenë konstruktiv, për të mirën e futbollit dhe për shikuesit.
Si emision, Ora Sport ka pasur ritëm, ka moderim profesional dhe koha shpërndahet në bazë të aftësisë së njerëzve për të komentuar që janë të ftuar në studio. Një emision i arritur nga Altin Sulçe, që përveç se moderon mirë, është gazetar profesionist dhe ka eksperiencë të gjatë në futboll brenda dhe jashtë vendit. Një cilësi e tij e veçantë që ka luajtur edhe vet futboll, pa harruar dhe punën e Drilon Xhepollarit dhe Dorisa Keçanit”, tha Zhupa.
Në intervistën për “Sport Ekspres” është prekur edhe tema e ekipeve shqiptare në Europë. Kryefjala e momentit është Partizani pasi largoi trajnerin kampion, Kolelën, por për Zhupën kjo nuk do të ndikojë duke parë teknikun e ri, Zoran Zekic.
“Kam dyshimet e mia se kush ekip shkon më larg. Partizani ka marrë një trajner të ri, me CV të mirë, me shkollë të mirë futbolli. Për mua largimi i Kolelës nuk prish punë, Zekic ka ardhur me të shkuar të pasur. Tirana po të mbaj grupin që ka pasur, do ta ketë më të afërt suksesin në Europë, besoj se dhe Partizani mund të arrijë diçka, por mbetet për t’u parë edhe merkato. Egnatia ka bërë mirë në kampionat, por do të varet nga shorti dhe pjesa që nuk ka shumë eksperiencë për këto nivele. Kryesorja është pjesa e kontratave. Nëse lojtarët pas Europës janë të lirë për të lëvizur në ekipe të tjera, kjo mënyrë është e gabuar.
Memelli te Vllaznia? Ka punuar me skuadra që kanë qenë elitare. Unë i uroj shumë suksese. Shkon në Shkodër, një vend që e duan shumë futbollin dhe njëkohësisht kërkojnë që trajneri i tyre të jetë shkodran. Por uroj që kjo aventurë t’i shkojë mirë Memellit”, tha Zhupa.
E teksa e pyesim për Kombëtaren, nuk mungojnë fjalët e mira për Silvinjon dhe mënyrën sesi braziliani po punon te Shqipëria. “Objektivi i trajnerit është kualifikimi në Europian. Lojtarët i kanë minutat e tyre dhe trajneri ka bërë një përgatitje të mirë, kjo periudhë është e mirë për Kombëtaren. Dua që të shoh përveç fitores me Moldavinë, edhe një bindje të filozofisë së lojës. Mesa di Silvinjo do të jetë me tre sulmues dhe kjo më gëzon.
E kam parë pak nga afër stërvitjen e Silvinjos, kishte harmoni në grup, ushtrimet ishin koncize, trajnerët ishin të mobilizuar maksimalisht në detyrat e tyre dhe në disa raste demonstronin vetë ushtrimin. E veçanta e Silvinjos është që jeton në Shqipëri, punon në zyrat e FSHF, udhëton për të takuar lojtarët dhe është futur në anën e tyre psikologjike, do t’i marrë maksimumin”, përfundoi Zhupa. /Sport Ekspres/