Nga Klaudio Ndreca
Një vendim tërësisht i çuditshëm ka ardhur nga ana e Rangersit, që ka vendosur të mos e blejë kartonin e Florian Kamberit. Ky i fundit ka dhuruar paraqitje fantastike me ekipin e Steven Gerrard, aqsa trajneri i njohur u dashurua me djaloshin shqiptar dhe për herë të parë Morelos nuk ishte më i pazëvendësueshëm.
Gjithashtu edhe tifozët kishin një simpati të veçantë për mënyrën sesi Kamberi paraqitej në fushë. Me shpirtin e vendosur në lojë, grintën dhe duke i dhënë cilësi më tepër sulmit të Rangersit. Për të vazhduar edhe me deklaratat e dashurisë kundrejt stemës së Rangersit, që e bënë të urryer në shtëpinë e tij, te Hiberniani.
Sipas asaj që raportojnë mediat skoceze, tanimë Kamberi duhet të rikthehet te klubi që i zotëron kartonin dhe atje ku nuk e duan më, pasi e kanë sulmuar jo pak herë për deklaratat e dhëna dhe lidhjen e madhe që kishte në pak kohë me Rangers. Sipas raportimeve të para janë disa interesimeve që vijnë për sulmuesin e Shqipërisë nga ana e Anglisë, në “Championship”, por edhe në Poloni. Më parë ka qenë Brendtford që e ka kërkuar Kamberin në skuadër, ndërsa në Poloni është Lech Poznan një prej ekipeve që dëshiron shërbimet e këtij sulmuesi. /Sport Ekspres/