Një ngjarje tërësisht e paprecedent ishte ajo që ndodhi në Portugali gjatë ndeshjes mes Guimares dhe Portos. Futbollisti i këtyre të fundit, Mousa Marega është larguar nga fusha e lojës vetëm nga ulërimat raciste të tifozëve të Guimares.
Këta të fundit kishin minuta të tëra që kishin nisur të ofendonin lojtarin 28-vjeçar me sfondin racist, pasi arriti të shënonte golin e dytë të Portos, që do t’i jepte edhe fitoren në shifrat 1-2 ndaj Guimares. Por kupa do të mbushej dhe duke parë se arbitri nuk po e ndalonte lojën, Marega nuk mund të qendronte më në fushë. Ai ka kërkuar zëvendësim pasi nuk mund të duronte më shumë.
Këtu ka hasur edhe kundërshtinë e shokëve të skuadrës që kërkuan me të gjitha mënyrat që ta bindnin për të qendruar në fushë, ndonjëherë duke e bërë edhe me forcën fizike. Por ishte e pamundur pasi vendimi ishte marrë, ndërsa Marega po i kundërpërgjigjej tifozëve edhe me gjeste, duke i irrituar edhe më shumë. /Sport Ekspres/