Armando Cungu ishte një nga trajnerët e mundshëm që u përfol për të drejtuar Vllazninë pas largimit të Sedloskit. Megjithatë drejtuesit e klubit vendosën dhe zgjodhën Memellin në pankinë. I ftuar në “Neës 24” me moderatoren Trevisa Tufa, Cungu ka folur edhe sa i përket kësaj historie që tani i përket së shkuarës.
“Natyrisht, ato kërkojnë të jenë të forta, në mënyrë që të fitojnë trofe. Nuk duhet të harrojmë që Shkodra është djepi i futbollit. Ka dalë moda që të largohen futbollistë shkodranë nga Vllaznia. Është e papranueshme që Vllaznia të ketë vetëm 2 ose 3 lojtarë nga Shkodra. Shkodra ka talente, shumë lojtarë kanë kontribuar në klube të tjera.
Trajner te Vllaznia? Këtë nuk e di, kjo pyetje u bëhet drejtuesve, jo mua. “Më mirë me pas se me kenë”, thonë në Shkodër. Pra, drejtuesit janë ato që vendosin. Gjatë gjithë karrierës time, shkodranët, tifozët dhe qytetarët më kanë dashur. Nuk më pëlqejnë anketat, por tifozët më duan. Kur iku Brdaric më bënë një ofertë, por nuk e pranova pasi kisha impenjime të tjera”, tha Cungu. /Sport Ekspres/