Dy kampionët e Kategorisë së Dytë të sezonit të fundit, në Shqipëri dhe Kosovë, dhuruan një përballje mjaft interesante. Vijnë Veliaj e Gjonaj
EGNATIA – KF KIKA HOGOSHT 4-1
SHËNUES: Gjoka 8’, Baholli 27’, Vata 47’, 56’ / I. Sermaxhaj 84’
EGNATIA: Birja, Vogli, Doçi, Nako, Bakiasi, Dosti, Baholli, Karaj, Gjoka, Selimaj, Mile. (U aktivizuan: Haremi, Gjyla, Vata, Melani, Allkanjari, Topi, Gjoni, Gjuzi, Tufa, Meraj. Trajner: V. Gjonaj
KF KIKA: Gardica, M. Kastrati, D. Bickaj, K. Mustafa, Leka, Hoti, Hiseni, Au. Latifaj, A. Mustafa, Muja, Aliu. (U aktivizuan: B. Sermexhaj, I. Sermexhaj, V. Kastrati, At. Latifaj, Morina, G. Bickaj. Trajner: Z. Sermexhaj
Gjyqtarë: R. Zeneli, D. Mile, V. Zeneli (Lushnje)
Kartonë të verdhë: Topi 68’ / At. Latifaj 54’
Egnatia fiton sërish. Goleadat kjo skuadër tanimë i ka për zemër. Ka mundur homologen e saj, kampionen e Kosovës të Kategorisë së Dytë të sezonit të fundit, KF Kika të Hogoshtit. Miqtë kanë pasur disa mungesa të rëndësishme dhe vuajtën jo pak që ta përballonin lojën impulsive dhe me theks sulmues të rrogozhinasve. Trajneri Gjonaj përdori të gjithë futbollistët, ku dalloi aktivizimi si titullar i Dejan Dostit, ardhur tre ditë më parë. Ndërkohë është paraqitur tek Egnatia dhe mesfushori Emiljano Veliaj, që e ndoqi takimin nga pankina. Organizimin e lojës e mori përsipër Samet Gjoka, i cili ishte në një formë të shkëlqyer, ndërsa Ismail Vata realizoi një dygolësh, duke dëshmuar një formë po aq të mirë. Dje te Egnatia debutoi në 45’ e dyta mesfushori që ka luajtur në disa ekipe në Kategorinë e Parë, Salvador Gjonaj. Përgjithësisht klima e suksesit dhe e entuziazmit është bërë sunduese tek Egnatia, që veçanërisht në fushën e saj nuk pyet se kë kundërshtar ka përpara. Gjithsesi, trajneri Gjonaj kërkon të mbajë ekipin me “këmbë në tokë” dhe bën apel edhe për të mos rënë skuadra në eurori, sepse janë thjesht disa ndeshje miqësore që po interpretohen si duhet. Skuadra po konsolidohet dita–ditës, duke “thithur” në radhët e saj gjatë merkatos së kësaj vere edhe disa emra të rëndësishëm. Për t’u theksuar, se ndeshja pasditen e djeshme mes dy kampionëve të Kategorisë së Dytë të Shqipërisë dhe Kosovës ishte mjaft interesante.
Veliaj-Gjonaj, risitë e djeshme
Mesfushori beratas ndoqi dje ndeshjen nga bankina, teksa emri i tij te rrogozhinasit ishte lakuar prej kohësh. Me një kërrierë mjaft të pasur në Superiore, me Tomorin, Besën, Shkumbinin, Teutën, Laçin dhe Korabin, Veliaj duket se do të jetë pjesë e rrogozhinasve pjesën tjetër të sezonit. Ndryshe nga Veliaj, Gjonaj u hodh në fushë në pjesën e dytë. Mesfushori 24-vjeçar më parë ka qenë pjesë e Laçit, Tomorit, Mamurrasi, Pogradecit dhe Ilirisë.
Fatmir Efica