E pabesueshme/ Zvicra fiton dhe kualifikohet, Italia eliminohet nga EURO24 dhe e mbyll vetëm me 1 fitore

Një rezultat tjetër i pabesueshëm vjen nga Europiani i Gjermanisë, por këtë herë nuk flitet më për surprizat e fazës së grupeve. Zvicra ka mundur Italinë në shifrat 2-0 dhe ka kaluar më tej. Një paraqitje skandaloze nga ana e axurrëve, që e mbyllin kështu këtë turne vetëm me një fitore, atë të marrë kundër Shqipërisë.

Në ndeshjen e dytë ata humbën kundër Spanjës, barazuan kundër Kroacisë dhe tani e pësuan nga Zvicra, por këtë herë nuk ka më mundësi për rikuperim. Një eliminim i madh ky i Italisë, menjëherë pas fazës së grupeve.

Goli i parë i ndeshjes u shënua nga ana e Freuler në minutën e 37, që në zonë nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë. Ndërkohë goli i dytë u shënua në minutën e 46, teksa Vargas dhuroi një kryevepër nga distanca. Italia ishte e pafuqishme për të reaguar dhe nuk arriti dot të shënonte një gol shpresë për të rihapur ndeshjen. /Sport Ekspres/