Edhe këtë nuk e kishim dëgjuar kurrë: një futbollist që nuk luan dot për shkak të zhurmës në stadium!
I ka ndodhur yllit të ri të futbollit gjerman, Timo Verner, i konsideruar si e ardhmja e kombëtares dhe i kërkuar nga Real Madridi e shumë klube me emër.
Sulmuesi i Lajpcigut luajti rreth 30 minuta dje në Stamboll, ndaj Beshiktashit, para se të zëvendësohej, në një ndeshje që u mbyll shpejt, me turqit triumfues. Mediat gjermane raportuan për dëmtim dhe ai ishte lajmi kryesor, përveç humbjes së Lajpcigut, por a ishte ashtu?
Sot ka dalë në qarkullim lajmi i ri: Verner nuk luante dot nga zhurma e tifozerisë së Beshiktashit! Niveli i zhurmës në stadiumin e ri të klubit turk arrin nivele të frikshme, aq sa bezdis ndonjëherë edhe trajnerin e Beshiktashit, Senol Gynesh: ” atmosferë fantastike, ndonjëherë zhurma më bezdis edhe mua”.
Verner u fut në fushë me tapa në vesh, por e kishte të pamundur të luante dhe kishte marrje mendsh! Histori e rrallë, nëse konfirmohet nga Lajpcigu…