Në jetën e përditshme askush nuk i kushton rëndësi të fraksionit të sekondit, por në sport ato bëjnë diferencën. Kjo i ndodhi edhe kampiones shqiptare, Luiza Gega, në Kampionatin Europian të Atletikës 2018. Rekordmenia shqiptare e mbylli në vendin e katërt konkurimin, në finalen e garës së 3000m me pengesa, në evenimentin në Berlin. Gega regjistroi kohën 09:24:78, pas një garimi shumë të mirë.
Fatkeqësisht atletja kuqezi mbeti jashtë zonës së medaljeve, me vetëm 32 të qindat e sekondit diferencë nga vendi i tretë, që do t’i siguronte bronzin në Europian. Gara u fitua nga gjermania Krause, e cila u konfirmua kampione e kontinentit, dy vjet pasi rivalizoi pikërisht me Luiza Gegën për titullin.
Ndërkohë Luiza Gega ka bërë edhe një postim në rrjetet sociale: “Kampionati Europian Berlin2018 u mbyll në vendin e katërt dhe pse luftova gjer në fund për medalje, isha kaq afër por nuk arrita dot ta marr. Të them të drejtën jam e mërzitur sepse besoja shumë të isha në zonën e medaljeve, por fati nuk ishte me mua sot. Gjithsesi ndihem vërtet shumë krenare për çfarë kam arritur këtë vit.
Rekord kombëtar, rekord Mesdheu, kampione Mesdheu dhe vendi katërt në Kampionatin Europian dhe për më tepër jam e shëndetshme dhe ndihem vërtet e fortë dhe në formë për ato që pres të vijnë në vazhdim. Asgjë nuk do kisha arritur pa suportin super super të madh të trajnerit tim,FALEMINDERIT!
Si dhe dua të falënderoj të gjithë ato që mbështetën këtë vit të suksesshëm e të rëndësishëm të karrierës sime. Western Union, Ujin Spring, Koksh, Policinë ushtarake, Bashkinë e Tiranes, sigurisht familjen time si dhe gjithë ato që më urojnë e motivojnë pa fund. Faleminderit”.