Një dramë e vërtetë ka ndodhur në ndeshjen mes Barcelonës dhe Benfikës. Katalanasit kanë dominuar takimin me Xavin që ka futur frymën e Guardiolës, loja tiki-taka. Por spanjollët kanë shpërdoruar shumë raste para porte.
Ndërkohë është vërtet e pabesueshme sesi Seferovic ka gabuar në minutën e fundit. Sulmuesi i Zvicrës ka qenë i vetëm para Ter Stegen në minutën e fundit dhe ka bërë më të vështirën, duke nxjerrë topin jashtë.
Nëse topi do të përfundonte në rrjetë, Benfika do të fitonte ndeshjen dhe do të renditej në vendin e dytë, me një pikë më tepër se Barcelona. Por portugezët presin në shtëpi në ndeshjen e fundit ekipin më të dobët të grupit, Dinamon e Kievit, ndërsa katalansit përballen me Bayern Munchen.
Teorikisht, kjo fitore e sotme e dërgonte Benfikës në fazën me eliminim direkt dhe Barcelonën në shtëpi. Megjithatë shpresa vazhdon për portugezët duke kërkuar që Bayern të mundi spanjollët, pasi diferenca aktuale me Barcelonën është vetëm dy pikë. Fundja, gjermanët nuk shquhen për mëshirë të madhe. Në të kundërt, Seferovic do ta ketë në kujtesë rastin në Camp Nou për gjithë jetën. /Sport Ekspres/