Shqipëria U-21 ka nisur grumbullimin zyrtar që prej ditës së diel për dy ndeshjet ndaj Andorrës dhe Sllovenisë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”, ku fillimisht kuqezinjtë do të luajnë ndaj Andorrës më 7 shtator ndërsa katër ditë më vonë ndaj Sllovenisë.
Ditën e sotme, dy futbollistët e Kombëtares kuqezi, Marsel Ismajlgeci dhe Jorgo Pëllumbi kanë dalë në një konferencë zyrtare për mediat ku kanë folur lidhur me dy sfidat që kuqezinjtë do të zhvillojnë. Jorgo Pëllumbi, mbrojtësi shqiptar që ka kaluar së fundmi në skuadrën e NK Varazdin në Kroaci theksoi se skuadra është e përqëndruar te ndeshja e parë ndaj Andorrës, ndërsa tha se objektivi i Shqipërisë në grup është vendi i dytë.
Sa pikë synojmë në këto ndeshje? – Gjithmonë duhet të jemi të kënaqur me pikët maksimale në çdo ndeshje, por duhet të fokusohemi te ndeshja e parë kundër Andorrës. Më pas do të flasim për ndeshjen kundër Sllovenisë.
Andorra?– E njohim Andorrën, kemi luajtur tre herë në gati një vit e gjysmë, e dimë se çfarë loje luan, që rri mbrapa dhe pret, por ne jemi të fokusuar maksimalisht që të fitojmë.
Objektivat e skuadrës në këtë grup? – Të zëmë vendin e dytë në grup dhe të kualifikohemi.
Kalimi tek ekipi i NK Varazdin– Ndihem shumë mirë te klubi, jam ambientuar me shokët dhe me shtetin, dhe do bëjmë maksimumin me skuadrën që të kthehemi në Ligën e Parë.