Thomas Strakosha apo Pepe Reina? Rivaliteti po vazhdon te Lacio dhe nuk dihet ende se kush do të jetë portieri titullar në këtë sezon të ri. Gardiani 38-vjeçar erdhi për të ndihmuar në rritjen e shqiptarit, por ka bërë të kundërtën duke e ulur në stol.
Pas largimit të Inzaghit dhe ardhjes së Sarrit u mendua se do të kishte ndryshime në portë. Megjithatë Pepe Reina vazhdon që të jetë i favorizuar edhe për shkakun se trajneri Sarri njihet për lidhjet e tij të vjetra me lojtarët, duke i aktivizuar gjithmonë ata edhe në aventurat e reja. Shembulli i Elseid Hysajt është një prej tyre, ndërsa te Napoli ka punuar për shumë gjatë edhe me Pepe Reinën.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, spanjolli është pak më i favorizuar se shqiptari. Në ndeshjet miqësore janë përdorur të dy portierët thuajse me të njëjtin minutazh, me Reinën që ka pësuar një gol dhe Strakoshën që ka pësuar tre gola. Por më shumë sesa statistika, Sarri kërkon që portieri i Lacios të drejtojë mbrojtjen dhe të jetë i saktë me lojën në këmbë. Në këtë pikë është gardiani spanjoll që favorizohet dhe kjo do të shihet me zgjedhjen në ndeshjen e parë të kampionatit. /Sport Ekspres/