Ka mbi 10 vite që luan futboll dhe nuk e ka menduar kurrë të tërhiqet nga ky sport, pavarësisht të gjitha pengesave që i është dashur të kalojë gjatë kësaj periudhe. Vesa Paçarizi, vetëm 19 vjeçe është një nga mesfushoret më me perspektivë në ekipin Kombëtar të vajzave.
Gjithçka ka nisur në moshën 9 vjeçare, kur Vesa luante futboll me shokët e saj të lagjes në Kosovë. Ashtu sikurse shumë vajza të tjera të moshës së saj, zgjidhjen e ka gjetur duke u regjistruar në një ekip djemsh, ndërsa më pas është aktivizuar me ekipin e Malishevës, ku luan edhe sot e kësaj dite. Edhe pse ende e re, mbi kurriz ka shumë eksperiencë, teksa e huazuar tek ekipi i Hajvalisë, ka përjetuar edhe emocionet e kualifikueseve të UEFA Women’s Champions League. Sot është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare. Ekipi kombëtar U-19 shërbeu si trampolinë për Vesën, që tregon se kur ka marrë ftesën nga FSHF për të përfaqësuar Shqipërinë, nuk e ka besuar se ëndrra e saj më e madhe ishte tashmë një realitet.
Fanse e flaktë e Lionel Messit, mesfushorja kuqezi rrëfen për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org rrugëtimin e saj në botën e futbollit, teksa ka edhe një mesazh për të gjitha vajzat që duan t’i bashkohen këtij sporti.
-Çfarë të ka shtyrë të përfshiheshe në botën e futbollit? Sa vjeçe ishe kur nise të luaje?
– Kam rreth 10 vite që luaj futboll, që në moshën 9-vjeçare. Në fillim luaja në lagje me shokët e mi dhe pastaj vendosa së bashku me familjen që të regjistrohem në ekipin e djemve të FC Malisheva
Na trego pak për hapat e tua në karrierë Vesa, si vazhdoi gjithçka ? Çfarë ndodhi pasi u regjistrove në këtë ekip ?
– Siç e thashë, ishte pikërisht FC Malisheva ekipi ku unë nisa të luaj fiks futboll. Deri përpara se të regjistrohesha aty sigurisht që luaja si një amatore, si një vajzë e apasionuar dhe që e do futbollin. Te ky ekip mësova vërtetë se çfarë është futbolli, mësova si luhet, rregullat, disiplinën. Për plot dy vite jam stërvitur me ekipin e djemve. Se si luhet vërtetë një ndeshje e mësova pasi kalova tek ekipi i vajzave të FC Malishevës. Të them të drejtën kam punuar shumë fort, kam sakrifikuar shumë gjëra nga adoleshenca ime për futbollin, por jam e lumtur sepse jam kaq e re dhe ia kam dalë të luaj jo vetëm me FC Malishevën, por edhe me ekipin e Hajvalisë, duke marrë pjesë edhe në kualifikueset për UEFA Champions League. Dhe sigurisht qershia mbi tortë është grumbullimi me Kombëtaren.
– Sa të vështirë është për ty të merresh edhe me futbollin, edhe me shkollën, edhe të dalësh me shoqërinë. Si e bën këtë ndarjen? Ke ‘hequr dorë’ nga shkolla për futbollin?
– Nëse do të thoja që është e lehtë, do të gënjeja. I kam kushtuar shumë kohë futbollit, më shumë sesa shkollës. Ishte një periudhë që mendoja vetëm për futbollin. Akoma e bëj. Por, studimet nuk i kam lënë pas dore, kam hequr dorë nga një shëtitje me familjen apo shoqërinë, por kurrsesi nga shkolla apo futbolli. Gjej kohën t’i alternoj dhe t’i bëj të dyja.
Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ty si ka qenë? Kush të ka mbështetur më shumë? Familja? Shoqëria? Kush ka qenë më shumë skeptik në familje, mami apo babi?
– Është shumë e vërtetë që nuk është e lehtë për vajzat të merren me futboll, por për fatin tim të mirë kam prindër të mrekullueshëm dhe shumë mbështetës karshi meje. I kam kaluar të gjitha pengesat falë përkrahjes së tyre. Ata e dinin se sa e doja unë futbollin që në fëmijërinë time dhe besuan që një ditë unë do t’ia dal dhe do të bëhem dikush në futboll. Falë tyre nuk e mendova kurrë të tërhiqem nga ky sport. Sot janë krenarë me mua, ashtu sikurse edhe unë jam për ta. Për prindërit e mi që m’u bënë shokë atëherë kur unë kisha vërtetë nevojë të ishin mirëkuptues dhe të besonin ëndrrën time.
– Ke ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që të motivon?
– Nuk do të thoja idhull, por jam fanse e flaktë e Lionel Messi. Është një model që duhet ndjekur në futboll dhe është lojtari im i preferuar.
-Sa ka ndikuar futbolli te ty, në çdo aspekt të jetës? Të kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?
– Jo, nuk ka ndryshuar asgjë. Përkundrazi, futbolli ka ndikuar në mënyrë pozitive tek unë. Kam më shumë shoqëri, kam një jetë të shëndetshme. A është larguar shoqëria ime nga unë? Absolutisht që jo. Kanë qenë dhe vijojnë të jenë shumë krenarë me Vesën, shoqen e tyre që luan futboll.
-Ti je pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ty? Çfarë emocionesh të jep të luash për Shqipërinë?
– Krenare. Me një fjalë, nuk di si ta them ndryshe që jam shumë krenare që jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe luaj për ngjyrat kuqezi. Jam e lumtur dhe për mua është tepër e rëndësishme që të jem pjesë e Shqipërisë dhe të jap kontributin tim për ekipin tim të zemrës. Gjithmonë ndjej emocione kur marr ftesën për të përfaqësuar Kombëtaren shqiptare, qoftë kjo ftesë nga ekipi i moshave apo ekipi A.
– Si e more ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë? Si e mban mend herën e parë te Kombëtarja? Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje atëherë?
– Luaja në një ndeshje miqësore dhe menjëherë pas atij takimi më erdhi ftesa nga ekipi kombëtar. Të them të drejten nuk e besoja. Si çdo kush tjetër edhe unë e kam ëndërruar pafund që një ditë të luaj me Shqipërinë. Dhe besoj se kjo ftesë erdhi në momentin tim më të mirë, po kaloja një formë mjaft të mirë fizike. Kam luajtur me ekipin kombëtar U-19, tani jam edhe pjesë e ekipit A të vajzave. Dua t’i jap gjithçka Shqipërisë time, në çdo ndeshje zyrtare a miqësore, në çdo grumbullim zyrtar a rutinë.
-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Nëse do të vazhdojmë të ecim me këtë mentalitet të prapambetur që futbolli është vetëm për djem, atëherë nuk do të ecim kurrë përpara. Futbolli është i të gjithëve. I bëj thirrje vajzave që të bëhen pjesë e këtij sporti. Do të përjetojnë emocione që nuk besoj t’i kalojnë ndonjëherë në jetë. Jetoni shëndetshëm, jetoni në një shoqëri të mirë. Bëhuni futbolliste dhe shërbejini vetes suaj, familjes, shoqërisë, klubit tuaj, por mbi të gjitha, Shqipërisë.