Kryeqyteti zgjerohet sezonin e ardhshëm, teksa Partizanit e Tiranës i shtohet edhe Dinamo në Kategorinë Superiore. Blutë kanë siguruar biletën për në elitën e futbollit shqiptar dhe kjo është fryt i investimeve të bëra së fundmi. Megjithatë në Superiore luhet tjetër muzikë në krahasim me Kategorinë e Parë dhe për të qenë konkurues nevojiten ndryshime.
I pari që pritet të vijë është në pankinë. Olsi Uku mori drejtimin e skuadrës në fillim të muajit mars dhe i udhëhoqi drejt suksesit, por në elitë është një tjetër emër që do të mbajë timonin e nëndetëses. Sipas gazetarit të “RTSH Sport”, Alban Hasani, Blendi Shkëmbi do të jetë trajneri i ri i Dinamos. Fjalë këto që i përforcon vetë prania e teknikut shqiptar në tribunën VIP të “Elbasan Arenas” për të ndjekur nga afër finalen e sotme mes Egnatias dhe Dinamos./Halit Delibashi-Sport Ekspres/