I lindur dhe i rritur në Gjermani, por zemra i rreh për Shqipërinë. Provoi ta vishte fanellën kuqezi të Shqipërisë U-21 në një miqësore kundër Bullgarisë, madje duke dhënë edhe një asist. Bëhet fjalë për Arlind Rexhepin, sulmuesin anësor skuadrës së dytë të Humburger SV, i cili i është përgjigjur pozitivisht ftesës për të folur në rubrikën “Talenti Shqiptar”.
Përgjigjet i ka të shkurtra, edhe për shkak se nuk e flet edhe aq mirë gjuhën shqipe, por dëshirën e ka të madhe të ecë në sportin e bukur të futbollit dhe të japë kontributin e tij në Kombëtare. Që i vogël Arlindi është dashuruar me futbollin dhe ka provuar të luajë edhe me grupmoshat U-16 dhe U-17 të Gjermanisë. Sigurisht as ai nuk i ka shpëtuar ndikimit të familjes, që e ka “projektuar” atë si futbollist.
“Babai im ka qenë ai më ka shtyrë mua drejt këtij sporti kaq të bukur”, rrëfen fillimisht sulmuesi anësor, i cili më pas flet se si u ndje kur trajneri Alban Bushi e ftoi të jetë pjesë e Shqipërisë U-21. “Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme për mua të më ftonte Shqipëria. Jam ndjerë shumë, shumë mirë gjatë grumbullimit me skuadrën dhe në fushë me shokët. Trajneri, por edhe ekipi më kanë pritur më së miri”, shton Arlindi.
Debutimin sulmuesi e pati mjaft të mirë, duke asistuar në golin e parë të Stiven Shpendit ndaj Bullgarisë U-21. Rexhepi sigurisht është i lumtur për atë që bëri në ndeshjen e parë me fanellën e Kombëtares U-21. “Më erdhi shumë mirë që arrita ta ndihmoj ekipin me asistin tim”, u shpreh 20-vjeçari, i cili mund të luajë në të gjitha pozicionet e repartit të sulmit.
Gjithsesi ai e ka një pozicion të preferuar: “Jam i gatshëm të jap kontributin tim kudo që dëshiron trajneri, por dëshira ime është që të luaj në krahun e majtë të sulmit ose mesfushës. Aty ndihem më mirë”. Ecurinë e deritanishme në botën e futbollit Rexhepi e konsideron pozitive. Nga Hamburg U-19 ka kaluar në ekipin e dytë të klubit të njohur gjerman.
“Shpresoj që në të ardhmen të luaj në një ekip profesionist”, shprehet sulmuesi anësor, i cili dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë dhe t’i hedhë hapat njëri pas tjetrit. Arlindi normalisht ka edhe lojtarë që e motivojnë dhe një prej tyre është sulmuesi i Kombëtares dhe i londinezëve të Çelsit, Armando Broja.
“Broja është lojtari shqiptar që më motivon”, tregon i riu, ndërkohë që zbulon edhe me cilin futbollist e krahasojnë. “Ata që më kanë parë duke luajtur më thonë se ngjaj me Xherdan Shaqirin”, deklaron Arlind Rexhepi, o cili dallohet për shpejtësinë dhe cilësitë teknike, që i dëshmoi edhe në miqësoren e Shqipërisë U-21 kundër Bullgarisë.
Në fund Rexhepi flet edhe për të ardhmen, atë të futbollit shqiptar dhe të tijën. “Me lojtarët që Shqipëria ka, por edhe me të tjerët që do të zgjedhin të luajnë me Kombëtaren, besoj që ka perspektivë për futbollin tonë. Objektivi im personal është të bëhem futbollist profesionist dhe pse jo të eci në gjurmët e Xherdan Shaqirit”, përfundon rrëfimin e tij sulmuesi i talentuar, Arlind Rexhepi.